Koalicioni i OJQ-ve: Mbi 600 zyrtarë mbajnë më shumë se një pozitë
Në ditën e dytë të “Javës kundër Korrupsionit” , koalicioni i OJQ-ve ka mbajtur tryezën e diskutimit me temën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ”.
Leonida Molliqaj nga organizata Çohu, gjatë prezantimit të raportit tha se Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë të dhënat për pagat e deputetëve, duke treguar edhe pozitat që zyrtarët mbajnë në shumë institucione.
“Kemi hasë në probleme gjatë hulumtimit sepse nga 42 vetëm 12 institucione iu janë përgjigjur kërkesës sonë. Kuvendi është njëri prej tyre që nuk ka kthyer përgjigje për pagat e deputetëve. Nga analiza dhe hulumtimi i afërsisht 4000 zyrtarëve publik, kemi identifikuar se 659 zyrtarë të lartë publik mbajnë më shumë se një pozitë. Nga 659 që mbajnë më shumë se një pozitë, koalicioni ka identifikuar 581 zyrtarë mbajnë nga dy pozita, 63 zyrtarë kanë nga tre pozita, 10 zyrtarë kanë nga katër pozita si dhe 5 zyrtarë kanë nga pesë pozita”, tha Molliqaj.
Ndërsa, Blend Zyrapi nga KIPRED, prezantoi të gjeturat e raportit në ministritë përkatëse.
Sipas tij hulumtimi është bërë në pesë ministri, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministra e Administratës Publike, Ministra e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ai tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është njëra ndër ministritë që kanë hasur në më së shumti konflikt interesi, ku 98 persona prej 281 sa janë deklaruar janë me nga dy pozita.
“Në MAShT janë deklaruar 281 persona, 165 nga një pozitë, 98 persona me nga dy pozita, 17 me tre pozita, një person është me katër pozita. Pozitat e zyrtarëve që mbajnë më shumë se një pozitë janë, ligjëruesit në UP, të arsimtarit në shkolla fillore dhe të mesme, dekanit në UP, të këshilltarit në dy institucione të ndryshme, anëtarit të këshillave drejtues në ministri tjera, nga dy a më shumë pozita në institucione tjera si Kuvend, Ministri e Shëndetësisë, prokurori, QKUK, AShAK etj”, tha ai.
Ai shtoi se sekretari i MASHT-it nuk i’ua ka dërguar të dhënat për të hyrat e zyrtarëve pavarësisht se Departamenti i Financave e ka aprovuar kërkesën e tyre
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës në Zyrën Kombëtare të Audimit, Besnik Osmani tha se zyra ku ai punon është shembull për luftimin e korrupsionit.
“Besoj qe kemi një qasje shume agresive për vet faktin që është ligji për konfliktin e interesit edhe auditori edhe zv. auditori nuk mund të punësohet për ditë, pasi ta përfundojë mandatin e vet, për të gjithë zyrtarët e auditimit. Është një prej institucioneve shumë me specifike, proceset janë shumë të ndara, në mënyrë qe të mos ketë konflikt interesi”, tha Osmani.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se për korrupsionin në Kosovë flitet vetëm një herë në vit.
“ Unë nuk pajtohem me BE-në që thotë se korrupsioni është sëmundje endemike sepse ne se kemi në gjene por është sistemi i ndërthurur dhe inkopuruar. Fatkeqësia është se ky sistem i jonë është se shkon i dënon njerëzit që marrin nga pesë euro por nuk i merr ata që i marrin nga një, dy milionë sepse ata i paguajnë”, tha Kurteshi.
Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokrate, tha se në luftën kundër korrupsionit, vettingu është hapi i radhës që duhet të ndërmerret.
“Sa kam qenë në komunë unë në asamble komunale kanë qenë 3 ministra 1 shefe e kabinetit dhe në të njejtën kohë kanë mbajt pozita vendimmarrëse e asamblesë komunale. Nuk e di si është trajtu kjo tash me ligjin e ri për konfliktin por edhe këtë vit në Prishtinë kemi ministra që janë asamblistë ende”, tha Sejdiu.
Kurse, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se shoqëria civile luan një rol të madh në përmirësimin e gjendjes së korrupsionit në Kosovë.
“Ju si organizata duhet ti adresoni institucioneve, nëse është antiligjore atëherë duhet ligji të merret me problemin. Në rast me ligjin e konfliktit të interesit duhet vullnet më i madh i mjeteve për ta ndryshuar gjendjen. Janë një sërë institucione që merren qoftë me prokurim, auditim deri me gjykata që marrin vendime. Duhet ti inkurajojmë institucionet që kanë përgjegjësi mbi dënimit për këto raste eklatante në Kosovë”, tha Isufi.
Ndërsa, deputeti i Nismës, Bilall Sherifi tha se nëse të gjitha këto të gjetura qëndrojnë atëherë duhet të pësojë ndëshkimi nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Christina Davis nga USAID tha se Kosova këtë vit duhet të jetë krenare me të arriturat që kanë bërë deputetët me reformat për antikorrupsion.