Tryeza e KMDLNJ-së | Foto: KALLXO.com

KMDLNJ: Vështirë Dëshmohet Korrupsioni në Shërbimin Korrektues

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut publikoi raportin e monitorimit të qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe qendrave korrektuese për vitin 2016.

Në raport thuhet se korrupsioni në Shërbimin Korrektues të Kosovës, institucionin që menaxhon këto qendra vështirë dëshmohet.

“Ankesa ka pasur edhe se ka korrupsion, nepotizëm, diskriminim dhe standarde të dyfishta ne aplikimin e regjimit të avancuar, por edhe të privilegjeve. Rastet e korrupsionit në SHKK vështirë mund të dëshmohen. Flitet për korrupsion masiv dhe material”, thuhet në raport.

Në vitin 2015 KALLXO.com kishte shkruar për lejimin e një të dënuari për vrasje për të ndërtuar në Burgun e Prizrenit një dhomë të veçantë nga qelitë e të burgosurve tjerë.

http://kallxo.com/pamje-e-dhomes-qe-i-burgosuri-ndertoi-per-vete-ne-burgun-e-prizrenit/

Në raport u bë e ditur se kishte 11 raste të tentim-vrasjeve gjatë vitit të kaluar.

Këshilli në raport konstaton se ka pasur ankesa për trajtim jo të duhur të të burgosurve, ose të paraburgosurve në qendrat korrektuese të Dubravës e Lipjanit dhe në burgun e sigurisë së lartë, por këto raste i cilësoi të izoluara.

Behxhet Shala, drejtori ekzekutiv i KLMDNJ-së, tha se raportet e këtij këshilli nuk kanë për qëllim të kritikojnë dikë apo ta paraqesin një gjendje jo të mirë në Institucionet e privimit të lirisë.

“Raportet tona kanë një karakter rekomandues  i cili ndikon në përmirësimin e kushteve për trajtimin e personave të privuar nga liria dhe njëkohësisht ndihmon edhe në punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe shërbimeve të tjera  që merren me këta persona”, tha Shala.

Në tryezën e këshillit ku u publikua raporti, u tha se ka vështirësi në trajtimin e sëmundjeve të caktuara nëpër qendrat e ndalimit dhe sigurimin e barnave të cilat nuk janë në listën esenciale.

Këto vështirësi pritet të tejkalohen me fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

Pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të vitit të kaluar, emisioni “Jeta në Kosovë” në një debat me zyrtarë të Shërbimit Korrektues zbuloi se në këtë qendër ndalimi nuk ka mjekë në ditët e vikendit.

http://kallxo.com/burgu-ne-prizren-nuk-pati-doktor-per-astrit-deharin/

Sokol Zogaj, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, u zotua se do të merren parasysh rekomandimet e raportit të KMDLNJ-së, por deklaroi se buxheti i vogël është pengesë për funksionim më të mirë të këtij shërbimi.

Edhe KMDLNJ-ja në raport, buxhetin e Shërbimit Korrektues e vlerësoi të vogël.

“KMDLNJ vlerëson se buxheti vjetor i ndarë nga SHKK nuk mjafton për të siguruar funksionalitet të plotë dhe qëndrueshmëri strategjike. Qendrat nuk kanë mundësi të ndërrojnë as poçat elektrikë sepse për to nuk kanë buxhet dhe për ta bërë këtë duhet të marrin pëlqimin nga qendra ne Prishtinë”, thuhet në raport.