Ilustrim

KMDLNj: Dy muaj pas lëshimit dhe investimit 7 milionësh, Qendra e Paraburgimit në Hajvali po shkatërrohet

KMDLNj përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin kushtet në qendrën e paraburgimit në Hajvali.

Sipas KMDLNj -së vetëm dy muaj pas fillimit të punës së kësaj qendre ka dëmtim të enterierit.

“Me datë 25.03.2019 përfaqësues të KMDLNj-së, përfaqësues të MAP (përgjegjës për ndërtimin e kapaciteteve të Shërbimit Korrektues), përfaqësuesi ligjor i firmës që i ka kryer punimet në këtë Qendër të Paraburgimit dhe Drejtori i Q.P në Hajvali, së bashku me bashkëpunëtorë vizituan lokacionet e identifikuara e që janë të dëmtuara në përpjekje të gjejnë një zgjidhje për evitimin e tyre.

Ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit në Hajvali ka kushtuar rreth 7 milionë euro dhe vetëm dy muaj pas fillimit të punës ka dëmtime; lagështi, dëmtim i pllakave, dëmtim i mureve, kullat vrojtuese jo funksionale, etj.”, thuhet në njoftimin e KMDLNj.

Sipas KMDLNj kjo qendër është dorëzuar për përdorim dy vite me vonesë, ndërsa nga mesi i janarit 2019 ka filluar punën, me një kapacitet të kufizuar.

KMDLNj ka bërë të ditur se është në përgatitje të një raporti më të gjerë për këtë Qendër të Paraburgimit duke identifikuar një numër të problemeve, kryesisht të natyrës teknike për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.

Për këtë arsye KMDLNj ka takuar ministrin e drejtësisë, Abelard Tahiri si dhe ministrin e MAP, Mahih Jagxhilar.

KMDLNj ka theksuar se punëkryerësi i punimeve i ka dorëzuar objektin MAP-it i cili e ka pranuar në “gjendje teknike të rregullt” kurse tani e kemi një situatë kur e pësojnë personat e privuar nga liria, stafi korrektues, të punësuarit aty dhe sidomos drejtori i Q.P. në Hajvali me udhëheqjen e ngushtë.