Foto operacioni ortopedi
Klinika e Ortopedisë kryen operim të rrallë
Në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një ekip i mjekëve specialistë, ka kryer për herë të parë me ‘atroskop’ një operim në krahun e një pacienti, i cili, për shkak të lëndimeve të shpeshta, i kishte të kufizuara lëvizjet, njofton QKUK.
“Artroskopia është ndërhyrje kirurgjikale. Kjo procedurë kryhet me anë të aparatit të artroskopit, që përdoret për qëllime diagnostikimi dhe trajtimi të problemeve të ndryshme që mund të ketë artikulacioni (nyja)”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Klinika e Ortopedisë është pajisur me këtë aparaturë, dy muaj më parë.
Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, tha se janë kryer intervenime edhe më herët, por në gju. Tash, me metodën minimale invazive, pa e bërë hapjen e nyjës, sipas Tolajt, është kryer një ndërhyrje kirurgjike edhe në krah.
“Është një metodë e re, të cilën po e fusim në përdorim si klinikë dhe besoj që edhe në të ardhmen do të kemi raste të tilla më të shpeshta dhe, në njëfarë forme, ta bëjmë si rutinë”, tha ai.
Sipas Tolaj konstaton se pacienti, pas intervenimit, mund ta lëvizë menjëherë krahun.
“Nëse do të trajtohej jashtë institucioneve publike, ky lloj operacioni kushton diku 3 mijë euro. Pacienti, menjëherë pas operacionit, fillon me lëvizjen e krahut dhe i jepen këshillat për rehabilitim fizioterapeutik, normalisht, gjithmonë, rehabilitimi bëhet pa dhimbje”, tha ai.
Për natyrën e komplikuar të lëndimit, flet edhe anesteziologu Agron Rugova, i cili vlerëson se tek pacientët në moshë të shtyrë, veprimet e anestezionit janë më të kufizuara, duke e quajtur sfidë jo të vogël.
“Edhe për neve është pak më specifik, për shkak të moshës që e ka pacientja, është diku rreth 70 vjeç. Në këtë rast, problemet shëndetësore na kufizojnë veprimin e anestezionit te këta njerëz, e sidomos pozita e saj specifike që duhet të ulet dikur rreth 30 shkallë, domethënë në një pozitë gjysmë të drejtë, të ulur, që duhet gjithmonë pacientin ta përcjellim në aspektin hemodinamik”, thotë Rugova.