Kadri Veseli, Besim Beqaj e Bedri Hamza - Foto: KALLXO.com

Kjo është vlera e pasurisë së kryetarit të PDK-së në Mitrovicë

Bedri Hamza më 29 prill me shumicë votash është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë.

Hamza është edhe ministër i Financave që nga 9 shtatori i vitit 2017, ndërsa është dhe profesor në Kolegjin AAB.

Në deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2017, Bedri Hamza ka deklaruar se ka pasuri të paluajtshme 216 mijë euro.

Këtu përfshihen një banesë prej 98 metra katrorë, që vlen 46 mijë euro, një tokë pune  prej 2 hektarëve që e ka trashëguar, me vlerë 100 mijë euro dhe një banesë prej 120 metra katrorë, me vlerë 70 mijë euro, që në deklarim thotë se e ka blerë nga shitja e një banese dhe marrja e një kredie.

Të dy banesat janë në pronësi të tij, kurse toka është në emër të prindit e pronësia e përbashkët.

Pasuri të luajtshme, Hamza ka deklaruar se ka 17 mijë e 500 euro, ku përfshihen një veturë e tipit “Mercedes” që ka vlerë 6 mijë e 500 euro, që është pronë e tij dhe një tjetër veturë e tipit “Renault”, me vlerë 11 mijë euro, që është në pronësi të bashkëshortes, e cila sipas deklarimit e ka blerë me kredi në vitin 2014.

Ministri Hamza para të gatshme në banka ka deklaruar se ka 14 mijë e 633 euro që janë të tijat dhe 1 mijë e 374 euro që janë të bashkëshortes së tij.

Hamza sa ishte guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, të hyrat vjetore për vitin 2017  kapnin shifrën e 49 mijë eurove.

https://kallxo.com/bedri-hamza-zgjidhet-kryetar-i-pdk-se-ne-mitrovice/

www.kallxo.com