Kjo është gjendja shëndetësore e të miturit që u sulmua nga qeni endacak

Tetë vjeçari nga Vushtrria i cili u sulmua nga një qen endacak javën e kaluar, aktualisht nuk është në gjendje të mirë shëndetësore sipas familjes.

Nëna e tij, Luljeta Smajli, ka thënë për KALLXO.com se, djali i saj nuk po ndihet mirë.

“Dje e kam pas në kontroll të mjeku, por sot nuk është mirë me shëndet, ka dhimbje dhe nuk po ndihet mirë për shkak të tronditjes”, tha ajo shkurtimisht.

Smajli shtoi se  do ta dërgojë të birin në vizitë mjekësore në një spital privat.

Sulmi nga qeni, të shtunën e kaluar, të miturit i shkaktoi lëndime të rënda në fytyrë.

Nëna e fëmijës, Luljeta Smajli, para kamerës së KALLXO.com kishte treguar ngjarjen se si djali i saj është sulmuar nga qeni endacak pak metra larg shtëpisë së tyre.

“Tuj lujt djali u kan dhe i ka lh qeni, është tutë dhe ka fillu me ikë. Djalit iu ka gjuajt përmbi qeni dhe e ka ngrënë në fytyrë. Mandej ka qenë djali i vëllait dhe një djalë i kojshive. Mos të kishin qenë këta, djalin e kish ngrënë qeni, nuk ish gjallë hiç”, tha ajo, duke shtuar se djali i saj për shkak të sulmit i ka 17 penj në fytyrë.


Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një përgjigje me e-mail për KALLXO.com, ka thënë se nuk kanë mjete të mjaftueshme për trajtimin e qenve endacakë dhe ka shprehur keqardhje për rastin e të miturit.

Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se në vitin 2018 ka trajtuar mbi 150 qen endacakë, ndërsa, sipas tyre, çmimi për një trajtim të një qeni endacak është 33 euro.

Pamje të rënda qeni endacak e kafshon në fytyrë 8 vjeçarin