Prezantimi i hulumtimit të KIPRED-it - Foto: KALLXO.com
KIPRED: Qëndrime të Paqarta të Institucioneve Ndaj Radikalizmit
Një hulumtim i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) tregon se institucionet e Kosovës dhe elita politike kanë një qëndrim të paqartë ndaj radikalizmit në vend.
Instituti thekson se pothuajse të gjitha partitë kanë dështuar në adresimin e shenjave në rritje të radikalizmit.
Sipas Agon Demjahës, i cili paraqiti të gjeturat e këtij hulumtimi, pas luftës, e sidomos pas pavarësimit të vendit, po shihet një islam radikal.
”Në Kosovë pas pavarësisë dalëngadalë fillon të shfaqet një gjuhë e urrejtjes, e cila në njëfarë mënyrë propagon urrejtje ndaj pjesëtarëve të tjerë fetarë, qoftë atyre nga feja tjetër qoftë myslimanëve të moderuar, madje edhe grave dhe heronjve kombëtarë siç është Skënderbeu apo figurave të shquara kombëtare si Nëna Terezë”, tha ai.
Sipas tij, hoxhallarët dhe individët e caktuar radikalë në mënyrë publike i shprehin mendimet e tyre përmes gjuhës së urrejtjes. Për këtë ata shfrytëzojnë televizionet, mediat e shtypura, internetin e rrjetet sociale, ndëkohë që asnjë reagim nuk është bërë nga institucionet.
“Partitë politike kryesore në Kosovë nga karakteri janë sekulare. Ne aktualisht kemi një parti që nuk është sekulare. Po ashtu kanë dështuar në këtë diskurs publik të radikalizimit islamik në Kosovë. Përpos AAK-së, e cila përmes liderit të saj dhe përfaqësuesve të tjerë ka reaguar për këto trende, partitë e tjera kanë mbetur të heshtura në këtë drejtim”, deklaroi Demjaha.
Sipas tij heshtja e partive është bërë për të shtuar mbështetjen elektorale.
Ndërsa, Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, tha se hulumtimi është bërë me një mostër prej 1 mijë respondentëve, ku 720 kanë qenë të besimit islam, ndërsa pjesa tjetër të besimit të krishter.
“Kur e kemi bërë këtë hulumtim i kemi shtru disa pyetje kryesisht që kanë pasur të bëjnë me aspektin identitar dhe distancën socio-religjioze”, tha Peci.
Sipas këtij raporti thuhet se distanca socio-fetare e shqiptarëve myslimanë është më e madhe se e atyre katolikë.
Po ashtu, raporti thekson se sa i përket nivelit të fetarizmit identitar ai është më i lartë të myslimanët se sa te krishterët.
34.5 për qind e respondentëve kosovarë janë deklaruar se ndjehen më parë mysliman e pastaj shqiptar ose vetëm mysliman. Kështu janë deklaruar 22.1 për qind e të krishterëve në Kosovë.
Identitetin më të lartë kumulativ kosovar e ka rajoni i Mitrovicës me 55.6 për qind ndërsa identitet kumulativ fetar më të lartë e ka rajoni i Gjilanit me 74.1 për qind.
Sipas këtij raporti, rajoni i Prishtinës e ka distancën më të lartë negative si te shqiptarët katolikë ashtu edhe të ata myslimanë, ndërsa ai i Gjakovës shfaqet me intolerancën më të lartë ekstreme.
KIPRED rekomandon që institucionet qeveritare të prezantojnë diskurs të përbashkët publik që promovon bashkëjetesën fetare.
Sipas organizatës, Ligji për Bashkësitë Fetare duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky ligj përcakton vendin e bashkësive në rendin kushtetues dhe llogaridhënien e tyre financiare.
Ndër të tjera KIPRED rekomandon që Fakulteti i Shkencave Islame të përfshijë në plan-program edhe lëndët e religjioneve krahasuese, historinë e popullit shqiptar në mënyrë që të shmanget mohimi i së kaluarës fetare dhe nacionale.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për qytetarët e Kosovës që i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS në Siri e Irak dhe për ata që përkrahin idetë e organizatave ekstremiste të Lindjes së Mesme.
http://kallxo.com/hakeri-kosovar-isis-pranon-fajesine/
http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-rojtari-liqenit-te-badovcit-qe-zbuloi-adhuruesit-e-isis/
http://kallxo.com/shkuarja-dhe-largimi-shpejte-politologut-kosovar-nga-isis/
http://kallxo.com/komandanti-shqiptar-isis-raportohet-vdekur/