Deputeti Albert Kinolli - Foto: Facebook

Kinolli: Të Bashkohemi e t’i Dalim në Krye Një Pune

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për ndotjen alarmante të ajrit, Albert Kinolli, që foli në emër të grupit parlamentar 6+ tha se neglizhenca dhe mohimi i faktit që ka shumë ndotës e kanë sjellë situatën në këtë pikë.

“Problemin e ndotjes e kemi lënë anash edhe si institucione edhe si shoqëri. Si deputetë duhet të dalim me një zgjidhje të shpejtë, na duhet përkushtim i parezervë i të gjithëve”, tha ai.

Kinolli shtoi se nevojitet bashkëdyzim i të gjithë aktorëve e që një herë e mirë, siç u shpreh ai, “t’i dalim në krye një pune”.

Në fund ai tha se duhet të dalin me rezolutë me rekomandime për përmirësimin e ajrit.

Në seancën ku u debatua për ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë të pranishëm ishin 68 deputetë.

Seanca u iniciua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.