Kim Mehmeti. Foto: Kallxo.com

Kim Mehmeti: Kurrë s’mund ta dini si do të veprojë nesër Hashim Thaçi

Shkrimtari dhe publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti ka kritikuar presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj në lidhje me idetë e fundit të kreut të shtetit për korrigjimin e kufijve.

Ai ka kujtuar edhe kohën kur Kosova kaloi demarkacionin me Malin e Zi.

“Ne kemi politikanë pa asnjë parim, ne kemi politikanë që kanë vetëm një parim- kolltukun. Sepse ju e dini se si ishte çështja edhe me kufirin me Malin e Zi, dhe e dini si ishte çështja me Gjykatën Speciale”, thotë Mehmeti.

Ai ka thënë se politikanët në Kosovë janë më shumë të interesuar për fatin e tyre se sa të popullit.

“Nuk donin, në fillim donin sepse na thonin të huajt, mandej kur morën vesh se edhe ata mund të dënoheshin donin ta prishnin edhe të huajt nuk ishin të rëndësishëm, domethënë, edhe të huajt për ata janë të rëndësishëm kur bëhet fjalë për fatin e tyre e jo për Kosovën e për shqiptarët. Për këtë ka dëshmi, Gjykata Speciale është dëshmia shkollareske”, vlerëson publicisti Kim Mehmeti.

Analisti nga Maqedonia thotë se në politikë ka njerëz të moralshëm, dhe të tillët sipas tij e mbajnë politikën mbi supe.

“Nuk është e vërtetë që politika nuk ka moral, politika e ka një moral në vetvete, politika ka edhe njerëz parimor, bile ata e mbajnë politikën mbi shpinën e vet, jo këta që parim të vetëm e kanë atë se si të mbetem unë në pushtet”, tha ai gjatë një interviste për Gazetën Jeta në Kosovë, transmeton KALLXO.com.

Ai ka komentuar edhe një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Mehmetit, presidenti aktual dhe kryeministri mund të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje që mund të përfshijë edhe Veriun e Kosovës.

“Ju kurrë s’mund ta dini se si do të veprojë nesër presidenti i Kosovës, se nëse atij i del diçka tjetër nesër ma më shumë interes, ai e braktis këtë si Gjykatën Speciale, ani të huajt le të reagojnë ai thotë që kjo nuk është në interes të Kosovës. Kështu është edhe me kryeministrin. I mbani mend thirrjet për kufirin me Malin e Zi. U gjet një zgjidhje që do të korrigjohet një ditë. Ku është korrigjimi, edhe kjo tani mund të del që ta nënshkruajmë ne marrëveshjen por mandej do të bëjmë diçka, do ta kthejmë, ta lëmë të shkojë Veriu nja 30 vjet në Serbi mandej do ta kthejmë”, thotë shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti.

Kim Mehmeti: Thaçi po e kopjon idenë e ndarjes nga Dobrica Qosiq

www.kallxo.com