KGjK Ul Kriterin për Pakicat dhe Gratë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës me vendimin e datës 28 tetor uli kriterin e kalueshmërisë për kandidatët për gjyqtarë.

Edhe pse me rregulloren 05/2016 testi kualifikues për gjyqtarë kalohet me 45 pikë, KGjK-ja uli këtë kalueshmëri në 40 pikë për të shtuar në listën e të pranuarve si gjyqtarë edhe 40 kandidatë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në prillin e këtij viti e shpalli konkursin për pranimin e 61 gjyqtarëve të rinj, duke e bazuar atë në Kushtetutën e vendit, në Ligjin për Gjykatat dhe në Rregulloren për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Gjyqtarëve.

Por KGjK-ja pas shpalljes së listës për kandidatët që e kishin kaluar testin kualifikues e të cilët ishin 75 persona, mori vendim për ndryshimin e rregullores nr. 05/2016 me të cilën është rregulluar rekrutimi, provimi, emërimi dhe riemërimi i gjyqtarëve.

Sipas këtij vendimi  bëhet ulja e kriterit, përkatësisht të pikëve që do të duhej kandidati t’i ketë për të kaluar testin kualifikues.

Disa nga kandidatët që e kaluan testin sipas rregullores me 45 pikë, pa u ndryshuar ajo, u ankuan në KALLXO.com.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Zyra për Informim e Këshillit Gjyqësor të Kosovës pranoi uljen e kriterit të kalueshmërisë së testit, duke sqaruar se kjo u bë për të përfshirë kandidatet gra dhe ata nga pakicat.

“KGJK ka marrë vendim për uljen e pragut më qëllim të krijimit të një konkurrence më dinjitoze ndërmjet kandidatëve për pozitat e gjyqtarëve përfshirë kandidatët nga radhët e komuniteteve joshumicë në Kosovë dhe gjinisë femërore siç është përcaktuar më nenin 104 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 16 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës,” thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të KGjK-së.

Kjo zyrë bën me dije se “janë dy kandidatë të komunitetit joshumicë të nacionalitetit serb, një boshnjak me këtë arritshmëri [40 pikë] dhe 13 kandidatë të gjinisë femërore”.

Para se të vendoste për ta ulur kriterin e kalueshmërisë, KGjK-ja publikoi listën me 75 kandidatë që kishin kaluar testin kualifikues për gjyqtarë.

Pas uljes së kalueshmërisë, kësaj liste iu shtuan edhe 40 kandidatë tjerë.

Kandidatët që kaluan testin me 45 pikë ankohen se ulja e kalueshmërisë është diskriminim i bërë ndaj tyre.