Pamje nga takimi i sotëm - Foto: KGjK

KGJK kompenson anëtarët e saj pa arsyetuar pagesën

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka kontroll të duhur në kompensimin e anëtarëve dhe komisioneve të këtij institucioni.

Në raportin e Auditorit për KGJK-në është gjetur një rast, ku ky institucion ka kompensuar një anëtarë me 250 euro pa arsyetuar këtë pagesë.

“Nga testimi i pagesave retroaktive të anëtarëve të komisioneve në panel të caktuar me vendim nga Këshilli, për të cilat evidentohet prezenca e tyre me rastin e mbajtjes së seancave, në një rast që nuk ishte i caktuar me vendim anëtar i komisionit, mirëpo ishte kompensuar në vlerë 250€, dhe për me tepër pagesa për muajin mars si anëtar i komisionit nuk ishte arsyetuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas këtij raporti, pagesa sipas Neni 3 i U/A për kompensimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Komisioneve, përcakton se pjesëmarrja brenda ditës në takime të Këshillit Gjyqësor është 70 euro,  ndërsa në Komision 50 euro, ndërsa në rastet kur nevojitet pjesëmarrja në dy takimet brenda ditës atëherë pagesa bëhet vetëm për takimin e Këshillit Gjyqësor në vlerë prej 70 euro.

“ Po ashtu, në një rast kemi vërejtur se anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe të komisioneve që kanë marrë pjesë brenda ditës në takime të ndryshme dhe se ishin paguar për të dy takimet. Anëtarët e këshillit gjyqësor dhe të komisioneve janë kompensuar me tepër në vlerë 250€ (secili nga 50€). Për të dy raste KGJK kishte ndërmarr masa dhe mjetet për dy anëtarët e komisioneve ishin kthyer në buxhet në vitin 2018”, thuhet në vlerësimin e Auditorit për KGJK-në.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vërejtje nga Auditori edhe për mbulimin e pozitave me ushtrues detyre.

“Gjatë auditimit për vitin 2017, kemi identifikuar se gjashtë pozita mbulohen me Ushtrues Detyre (UD) mbi afatin e lejuar kohor. Rastet e identifikuara ishin: Zyrtari i lartë në njësinë për Evidencë Penale në SKGJK nga dt.29.12.2015, Drejtori i Zyrës se Evidencës Qendrore nga dt.01.08.2015,  Zyrtari Certifikues në Gjykatën Themelore në Gjilan mbulohet me UD nga dt.01.01.2016, ndërsa pozita e Udhëheqësit për Buxhet dhe Financa në Gjykatën Themelore të Prishtinës e cila është mbajtur me UD nga dt.28.01.2016, ishte marrë aprovimi nga MF për zhvillimin e procedurave të rekrutimit”, thuhet në raportin e Auditimit.

Sipas Auditorit, praktika e mbulimit të pozitave kyçe me U.D për periudha të gjata kohore  rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme në mungesë të konkurrencës së hapur.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë edhe tejkalim të numrit të gjyqtarëve për Krime të rënda.

“Gjatë auditimit është identifikuar se në dy gjykata është tejkaluar numri i gjyqtarëve për krimeve të rënda. Gjykata e Apelit me vendim i ka të lejuar nëntë gjyqtarë për krime të rënda, ndërsa e njëjta operon me 15 gjyqtarë. Rasti tjetër është në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ku me vendim të lejuar i ka shtatë gjyqtarë për krime të rënda, ndërsa e njëjta operon me nëntë gjyqtarë”, është thënë në vlerësimin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se në Gjykatën Themelore në Prishtinë është lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me një punonjës për pozitën “Roje Sigurimi” në kohëzgjatje gjashtë muaj, duke vazhduar edhe për gjashtë muaj të tjerë.

“Mbulimi i pozitave të zakonshme dhe me kohëzgjatje mbi afatin e përcaktuar përmes procedurave joadekuate paraqet anashkalim të dispozitave të përcaktuara ligjore, kufizon konkurrencën dhe rritë rrezikun që shërbimet të mos jenë reale me nevojat e KGJK-së dhe se buxheti i planifikuar për këtë kategori të mos shpenzohet sipas qëllimit të caktuar”, thuhet në raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

KGJK-ja është vlerësuar se ka mangësi në menaxhimin e pasurive të saja duke mos u regjistruar blerjet e vitit 2017 në inventar, në pajisjes të IT-ve që kapin shumën prej 208 mijë e 927 euro.

E mangësi sipas Auditorit ka edhe në zbatimin e rekomandimeve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Niveli aktual i trajtimit të rekomandimeve nuk është i kënaqshëm për shkak se KGJK nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të rishikuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit të rekomandimeve dhe identifikimin e pengesave për veprim në adresimin e tyre të plotë”, thuhet në vlerësim të Auditorit.