KGjK e USAID lansojnë uebfaqen e re në shërbim të transparencës

Sot do të bëhet lansmi i faqes së re të internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK).

USAID-i bashkëpunon ngushtë me KGJK-në dhe gjykatat në rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, USAID-i, përmes programit Forcimi i Sistemit të Drejtësisë, ka ndihmuar KGJK-në në ridizajnimin e faqes së tij të internetit për ta bërë atë më lehtësisht të përdorueshme, gjë e cila i’a ka lehtësuar publikut qasjen në informata.

Faqja e internetit përmban një ndërfaqje të thjeshtuar, më intuitive të përdoruesit, qasshmëri më të madhe në platformat desktop, tabletë dhe mobile, si dhe mundësi shtesë të kërkimit të avancuar për vendimet e publikuara të lëndëve.

Programi i Forcimit të Sistemit të Drejtësisë i USAID-it është një aktivitet katërvjeçar i sundimit të ligjit i cili fokusohet në promovimin e një sistemi gjyqësor që u përmbahet standardeve të larta të pavarësisë, paanshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, si dhe në mbështetjen e funksionimit dhe integrimit të strukturave gjyqësore në veri të vendit.