KFOR i quan të pavërteta raportimet e mediave serbe për aksionin e ‘pushtimit’ të Trepçës

KFOR ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave serbe  të cilat thonë që autoritetet e Kosovës me dijeninë e KFOR-it  janë duke hartuar një plan me të cilin Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës  do të marrin nën kontroll fabrikën e Trepçës (komplekse minerare).

Në një përgjigje në KALLXO.com, Vincenzo Grasso, zëdhënës i  KFOR-it, ka thënë që këto raportime janë vetëm spekulime dhe nuk ka asgjë të vërtetë.

“KFOR-i nuk është në dijeni për ndonjë plan, për të cilin është spekuluar në disa media sot. Situata në Kosovë është nën kontroll dhe nuk ka shenja të incidenteve të mundshme. Shqetësimi i vetëm është për shkak të retorikës që është në përdorim, sepse krijon një atmosferë ku një incident i izoluar mund të eskalojë”, ka thënë ai.

Tutje Grasso në ka theksuar se misioni i KFOR-it është që të garantojë siguri në Kosovë, së bashku me akterët e sigurisë këtu.

“KFOR-i mban marrëdhënie të vazhdueshme dhe të mira me të gjithë aktorët e sigurisë në Kosovë, si dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, me qëllim që të parandalojë ndonjë veprim apo ngjarje të papritur. KFOR-i është plotësisht i përkushtuar në mandatin e tij nën Rezolutën 1244 të Këshillit te Sigurimit të Organizatës së Kombeve te Bashkuara, me qëllim që të garantojë siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

Tutje ai ka thënë se KFOR-i u bën thirrje të gjithë folësve dhe mediave të jenë të kujdesshëm që të mos shkaktojnë pasoja më të thella me fjalët e tyre.