Këto janë rekomandimet e Avokatit të Popullit pas vizitës në Qendrën e Mbajtjes së të Huajve

Institucioni i Avokatit te Popullit ka publikuar raportin me rekomandime lidhur me gjetjet nga vizita e kryer në Qendrën e Mbajtjes së të Huajve në Vranidoll.

Me 13 shkurt 2019, Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), e ka vizituar Qendrën e Mbajtjes për të Huajt me qëllim të monitorimit se a po respektohen të drejtat për të huajt, të cilët mbahen në atë qendër.

Pas përfundimit të kontrollit, Institucioni i Avokatit të Popullit me anë të një raportit i rekomandon Ministrisë së Punëve të Brendshme që qendra për mbajtjen e të huajve duhet të ketë në dispozicion së paku një infermiere, e cila do t’i kryente kontrollet mjekësore të sapopranuarve, dhe do ta shpërndante terapinë si dhe do të kujdesej për dosjet mjekësore të të huajve në QMH.

Po ashtu, ky institucion kërkon nga MBP-ja që qendra për mbajtjen e të huajve duhet t’i mbajë protokollet për vetminë, për lëndime trupore, për vetëlëndime, për tentim-vetëvrasje, për abuzim seksual dhe të vdekjeve.

Avokati i Popullit ka rekomanduar edhe trajnimin e personelit të sigurisë që gjendet në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve.

Po ashtu, IAP ka ripërsëritur rekomandimin që të huajt të njoftohen për të gjitha të drejtat dhe obligimet e tyre në gjuhën të cilën e kuptojnë.

Krejt në fund IAP kërkon nga MPB-ja që të miratohet një rregullore disiplinore, e cila do t’i precizojë procedurat disiplinore dhe të drejtat e të huajit, të cilit i shqiptohet një masë e tillë.

Sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, Ministria duhet të angazhohet që të huajve të cilëve u shqiptohet masa disiplinore e izolimit, t’u mundësohet gëzimi i të  drejtave në pajtim me standardet e përcaktuara nga KPT-ja.