Këshilltari i Pacollit: Nuk do të lejojmë asnjë zyrtar nga Beogradi ta vizitojë Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar së nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën për shkak të ‘inskenimit’ për krizë humanitare në veri.

Kështu ka bërë të ditur këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj në rrjetin social ‘Facebook’.

Zyberaj ka shkruar së të gjitha kërkesat e zyrtarëve nga Beogradi do të refuzohen për aq sa kohë që shteti serb sipas tij, bënë propagandë ndaj Kosovës.

“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve fake ndaj vendit dhe qytetareve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka shkruar këshilltari i ministrit të MPJ-së, Behgjet Pacollit.

Qeveria e Kosovës ka hapur disa dyqane të përkohshme në veri të vendit, pasi që mediat serbe kishin përhapur lajme së ka krizë humanitarë atje.