Foto: BE

Këshilltari i Kryeministrit flet për letrën qe Mogherini i ka dërguar Qeverisë

Halil Matoshi, këshilltari i Kryeministrit Ramush Haradinaj ka thënë se ky i fundit po ia kthen Kosovës identitetin e 17 Shkurtit, të dëmtuar nga brenda e të defiguruar nga jashtë.

Duke folur për letrën e përfaqësues së lartë të BE-së, Federica Mogherinit, e cila sipas tij, thërret Prishtinën zyrtare për një pakt kompromisi, në thelb është edhe një ftesë për ma pak pavarësi karshi BE-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e shpallur të vendit tonë dhe kjo nuk është as ofertë për kompromis edhe pse në Kosovë askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të bëjë kompromis me 17 Shkurtin. Me sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj.

Sipas Matoshit, kosovarët janë shumë europianë, aq sa nuk bëjnë pazare me pavarësinë e tyre kombëtare.

“CEFTA-n e ka nënshkru UNMIK në emën të Kosovës, e cila tash është një entitet i pavarur juridik-politik, i patjetërsueshëm dhe i pazhbëshëm si subjekt i të drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Matoshi në Facebook.

Ai ka thënë atë që e kishte thënë edhe Haradinaj, se taksa hiqet vetëm kur Serbia e njeh këtë entitet juridik- politik dhe pavarësinë e tij.

“Kryeministri Haradinaj e ka bâ të qartë për miqt dhe armiqt e Republikës: 17 shkurti nuk preket as nuk negociohet!”.

Më herë, koha.net raportoi se Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri Johannes Hahn në një letër të përbashkët drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ofrojnë opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.

“Ofrojnë mes tjerash që emërtimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në këtë letër të siguruar nga Koha.