Foto: Kadri Veseli/Facebook

Këshilltari i Kadri Veselit: Shkëmbimi i territoreve nuk është opsion problematik

Përderisa kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deri më tani ka heshtur rreth idesë për shkëmbim të kufijve, një këshilltar i tij sot foli në favor të një zgjidhjeje të tillë.

Avni Bytyçi, këshilltar i Kadri Veselit, tha për TV Klan Kosova se një ide e tille e cila do t’i përfshinte në marrëveshje shkëmbimin e komunave të veriut të Kosovës me ato të jugut të Serbisë, nuk është opsion problematik.

“Nuk është problematike sepse kur të ishte arritë një marrëveshje dhe të ishte ratifikuar në Kuvend dhe si vende të pavarura me vullnet të plotë po pajtoheni se e njihni njëri- tjetrin dhe i shkëmbeni këto territore të caktuara me qëllim të paqes dhe mosndërhyrjes në njëra- tjetrën, as Maqedonia nuk ka arsye të ndërhyjë, as Shqipëria, as Mali i Zi, besa as edhe Bosnja për arsye se hapi më i rëndësishëm në raport me Kosovën është se Serbia do ta njohë Kosovën”, tha Bytyçi në një debat televiziv.

“Jo unë, prej zyrës së Trump më duket, e deri te zonja Merkel e kanë bërë shumë të qartë… Zonja Merkel e ka thënë shumë qartë: ne e pranojmë çdo marrëveshje, çdo marrëveshje që arrihet mes dy vendeve”, tha Bytyçi.

Në këtë debat, gazetari kosovar Ardian Çollaku tha se opsioni për shkëmbim të territoreve është ide e rrezikshme e cila, sipas tij, do të mund të nxiste reaksion zinxhir në Maqedoni e Bosnje.

Por këshilltari i Veselit e hodhi poshtë një mundësi të tillë.

“Edhe kur është shpallë pavarësia e Kosovës kanë thënë se do të ketë efekt ‘domino’. Cilin efekt ‘domino’ e ka kriju? Unë e kam një shqetësim të madh, shumë real: që për shkak të lojërave, të egoizmit të të gjitha partive politike, me kqyrë kush po fiton më shumë vota, ose më pak, ne kemi me e humbë këtë mundësi qysh i kemi humbë mundësitë tjera si shtet”, tha Avni Bytyçi.