Ramush Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

Këshilltari i Haradinajt: Taksa nuk ka lidhje me dialogun, por me agresionin serb

Sonte i ftuar në emisionin debatues “Click” të RTV21, u diskutua se si do të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë temë, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Selim Selimi deklaratën e Përfaqësueses së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila ka thënë që dialogu nuk vazhdon pa u hequr taksa dhe deklarimet e saj të mëhershme i ka cilësuar të jenë kushtëzime vetëm për shtetin e Kosovës.

Prandaj, sipas Selimit, duke u nisur që shteti i Kosovës i ka respektuar të gjitha obligimet që i takojnë për të pasur një dialog të mirëfilltë me Serbinë, atëherë është koha që dialogu të jetë pa kushte.

“Është koha që dialogu të jetë pa kushte. Dialogu të jetë një dialog i mirëfilltë, i cili do të përfundojë me njohjen e Serbisë nga ana jonë, njohja e Serbisë do të thotë falje, pra për neve kjo është falja, të cilën ne tentojmë ta marrim nga Serbia për një pajtim.”, ka deklaruar Selimi.

Më tutje ai ka treguar që taksa nuk është vendosur për dialogun, mirëpo kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka deklaruar disa herë që është i gatshëm të diskutojë edhe për taksën e tregut në dialog, nëse dialogu në mes të dy shteteve përfundon me marrëveshje.

“Taksa nuk është vendosur për dialog, taksa është vendosur si kundërpërgjigje e agresionit serb në fushën diplomatike, pra taksa nuk ka lidhje me dialog, por edhe pse nuk ka lidhje me dialog kryeministri Haradinaj, ka deklaruar disa herë që është i gatshëm ta diskutojë në një tavolinë, e cila përfundon me marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe çështjen e taksës në këtë rast të tregut.”, ka thënë Selimi.

Selimi gjithashtu ka deklaruar që duhet të bëhet e qartë se taksa nuk lidhet me dialogun.

“Taksa nuk lidhet me dialogun. taksa është kushtëzim, dialogu duhet të jetë pa kushte, kjo është kërkesa jonë”, tha ai./21Media