Foto: Halil Matoshi/Facebook

Këshilltari i Haradinajt i kërkon falje gazetarit

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, i ka kërkuar falje grupit “Koha” dhe gazetarit Besnik Krasniqi.

Matoshi e kishte quajtur Krasniqin “Fabrikues të lajmeve” dhe e ka krahasuar atë me gazetarë të “Sputnikut rus”, për një artikull të publikuar në gazetën “Koha Ditore”.

“Duke qenë se Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, është një lider që e ka bërë diferencën në transparencë dhe ka ndërtuar mardhënie të shkëlqyera me median (për këtë kanë folur e shkruar shumë kolegë gazetarë, përfshirë edhe ata nga Grupi “Koha”), për ta ruajtur si të pacenueshme këtë qasje të hapur të Kryeministrit, i bindur se liria e medias është e patjetërsueshme dhe e panegociueshme, për t’i kontribuuar thellimit të partneritetit me median, dua t’i kërkoj falje të sinqertë publike Grupit “Koha”, komunitetit të gazetarëve dhe gazetarit Besnik Krasniqi, duke qenë se një postim imi në Facebook, është interpretuar si një mënyrë e papërshtatshme e reagimit”, ka shkruar Matoshi në Facebook.

Ditën e djeshme ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili e ka parë shqetësuese gjuhën që ka përdorur këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi, ndaj gazetarit të ‘Kohës Ditore’, Besnik Krasniqi.

Ndërkaq, gazetari Krasniqi ka thënë se Matoshi është i korruptuar.

“Halil Matoshi na është korruptu keq në kokë! Është verbu e korruptu me ata pak eshna që po i shijon në pushtet! Etiketa publike që ma bëri sot, përbën kërcënim të hapur: Ky është rus! Çkyjeni!”, kishte shkruar ndër të tjerash gazetari në Facebook.

https://kallxo.com/agk-reagon-ndaj-keshilltarit-te-kryeministrit/