Këshillit për Programe e Tekste Shkollore i dorëhiqet edhe një anëtare

Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSh) do ta ketë edhe një anëtar më pak. Kjo pasi që Majlinda Gjelaj ka dhënë dorëheqje nga ky këshill.

Gjelaj e kontaktuar nga KALLXO.com tha se këtë vendim e ka marrë për arsye personale dhe për të evituar ndonjë konflikt interesi.

“Ju informoj se kam dhënë dorëheqje nga KEPTSH për arsye të angazhimit tim te mbingarkuar dhe për shkak se ndoshta do të angazhohem në të shkruarit e teksteve shkollore në të ardhmen dhe kjo do të përbente konflikt interesi nëse do të isha ende në KEPTSH”, tha ajo.

Nga KEPTSh muajin e kaluar kanë dhënë dorëheqje edhe dy anëtarë të tjerë Sefer Avdijaj dhe Fadil Grajçevci, pasi sipas tyre ka pasur shkelje në procesin e teksteve të reja shkollore.

Ndërsa instituti EdGuard kishte thënë se në tekstet e reja shkollore nuk ka ndonjë përmirësim substancial dhe ka tekste që janë shumë të përsëritura.

https://kallxo.com/edguard-ska-ndonje-ndryshim-ne-tekstet-shkollore-ministri-mos-ti-miratoje/

Për këtë çështje kishte raportuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në Komisionin për Arsim.

https://kallxo.com/bytyqi-raporton-ne-komision-per-tekstet-shkollore-thote-se-do-te-pilotohen/

Megjithatë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), muajin e kaluar ka publikuar listën përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët do të përgatisin tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11.

Sipas kësaj liste për librat e nxënësve që fillojnë vitin e ri shkollor 2019/2020 do të përgatiten kryesisht nga shtëpia botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Kosto e teksteve – mbi 74 mijë euro

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Ndërsa sipas zëdhënësit të MAShT-it, Valmir Gashi, secili recensent do të paguhet me shumën prej 500 eurosh.

“Çështja e pagesave të recensentëve është në proces, ku secili nga ta do të paguhet nga 500 euro, konform Udhëzimit Administrativ për Recensentët”, kishte thënë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi më 25 prill të këtij viti kishte thënë se asnjë libër i ri shkollor s’mund të kalojë nëse nuk i plotëson standardet.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Historiku

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të  gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të lëndëve Biologji, Edukatë Qytetare, Histori, Psikologji dhe Sociologji të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

KALLXO.com pati raportuar për përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri Njeriu dhe Natyra të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se shkruhet që zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.