Këshilli Shtetëror i Cilësisë pezullon punën e Komisionit të Ankesave

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) sot ka vendosur që të pezullojë procesin e ankimimit në Agjencinë e Kosovës për Akreditim(AKA), pasi ka kuptuar se versioni përfundimtar i rregullores me të cilën punon Komisioni i Ankesave, nuk është votuar asnjëherë nga anëtarët e KSHC-së.

Gjatë  mbledhjes së 70-të të KSHC-së  është diskutuar se si rregullorja me të cilën Komisioni i Ankesave në kuadër të AKA-së punon, nuk është votuar nga anëtarët e KSHC-së edhe pse është nënshkruar nga kryetari i saj, Gazmend Luboteni.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Avni Gashi ka deklaruar për KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë sot ka kërkuar që të pezullohet rregullorja me të cilën punon Komisioni i Ankesave.

Ai tha se kjo rregullore është aprovuar parimisht nga KSHC dhe se pas vendimeve të Komisionit të Ankesave që hedhin poshtë vendimet e KSHC-së, bordi vendosi që ata kanë tejkaluar kompetencat.

“Nuk i mbaj anë asnjërës, pasi që dy trupat janë të pavarura dhe kanë të drejtë të marrin vendimin sipas meritave të cilat këta mendojnë. Unë do t’i drejtohem organit përkatës i cili është Ministria e Administratës Publike, po ashtu edhe Ministria e Arsimit edhe do ta kemi një përgjigje, pa marrë parasysh se këta morën vendim sot që me e shfuqizu rregulloren edhe me e bë një rregullore të re.”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, anëtari i KSHC-së, Dukagjin Zeka tha për KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë asnjëherë nuk e ka aprovuar rregulloren finale të Komisionit të Ankesave.

Vendimet e deritanishme të këtij komisioni sipas profesorit Zeka, ‘janë vendime invalide të një organi pa kompetenca për vendime’.

“Konsekuencat bien mbi komisionin edhe mbi vetë zyrtarët e Agjencionit të cilët nuk i kanë sqaruar këto kompetenca. Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka reaguar me kohë, ka krijuar grupin e ri i cili do ta draftojë rregulloren e cila deri tash nuk i ka marrë pesë vota për me kalu duke i përfshirë edhe ndërkombëtarët. Ka marrë katër vota online, ndërsa pesë vota të tjera kanë qenë me vërejtje derisa të plotësohen, e vërejtjet nuk kanë ardhur asnjëherë.”, tha Zeka.

Ai theksoi se sot gjithashtu mësuan se nuk ekziston versioni anglisht i rregullores së nënshkruar, e që sipas Zekës, ‘nënkupton se ndërkombëtarët nuk e kanë aprovuar asnjëherë’.

Profesori Dukagjin Zeka theksoi se i vetmi organ i përcaktuar me ligj në vendimmarrje për akreditim është Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i cili i raporton Kuvendit të Kosovës.

“Munden me këshillu KSHC-në, me dhënë propozime por asnjëherë nuk munden me lëshu vendim. Ne kemi një fshehje të informacionit, sot e kuptuam që është lëshuar një vendim, tejkalim komplet i kompetencave sepse me të njëjtin institucion, dy organe nuk lëshojnë të njëjtat vendime dhe për disa të tjerë mbeti me hamendje, që kanë lëshuar kaq ose kaq vendime.”, deklaroi më tej anëtari i KSHC-së.

Profesori Zeka tutje shtoi se nëse nuk tërhiqen vendimet e Komisionit të Ankesave dhe të njoftohen institucionet e arsimit të lartë se ato vendime nuk qëndrojnë, do të përfshijnë organet e drejtësisë.

Bujar Pira, anëtar i Komisionit të Ankesave tha se me shumicën e votave, komisioni kishte vendosur që një programi t’ia kthejë akreditimin.

Ai deklaroi se veprimet e ndërmarra i kanë bazuar në kompetencat që u janë dhënë nga Ligji për Procedurën Administrative.

Udhëzimi Administrativ, Neni 22 flet për të drejtën ankuese. Komisioni i Ankesave trajton dhe vendosë për ankesa. Ne marrim vendime për ankesa brenda 30 ditësh. Thuhet se ne jemi trupi i dytë i Këshillit Shtetëror. Në nivelin Bachelor i kemi dhënë akreditim sepse është besuar se është vendosur njëjtë edhe në institucione të tjera.”, ka sqaruar Pira para KSHC-së.

Anëtari ndërkombëtar i KSHC-së, Jeffery Butel gjithashtu deklaroi se nuk e ka pranuar dokumentin që tregon rregulloren përfundimtare të Komisionit të Ankesave.

“Ne kemi parë një draft të rregullores, por nuk kemi parë një dokument përfundimtar.”, ka thënë Butel.

KSHC vendosi që pjesë e grupit punues për rregulloren përfundimtare të Komisionit të Ankesave, të jenë profesoresha Vjollca Krasniqi, profesori Dukagjin Zeka dhe Jeffery Butel.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim pas monitorimit të kësaj mbledhje ka deklaruar se ‘Komisioni i Ankesave ka tejkaluar kompetencat duke përmbysur vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në mënyrë ilegale’.

Sipas kësaj organizate, ‘zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Akreditim kanë dështuar në kryerjen e detyrave të tyre me ose pa qëllim’. “Nga mbledhja janë shprehur dyshime që rregullorja e cila ka shërbyer si dokument për punën e Komisionit të Ankesave asnjëherë nuk ka marrë miratimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë pasi të paktën 6 anëtarë nuk kanë votuar asnjëherë për versionin final të rregullores, çka e bën gjithë punën e këtij Komisioni të pavlefshëm.”, thuhet në reagim.