FOTO: Xhavit Rexhaj /Facebook

Këshilli Shtetëror i Cilësisë diskuton paraqitjen e anëtarit në reklamën e kolegjit 'AAB'

Çështja e përfshirjes së anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Xhavit Rexhaj, një një spot reklamues të Kolegjit privat ‘AAB’ pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ditë më parë, në media u diskutua ky spot reklamues nën dyshimet për konflikt interesi meqë Rexhaj është pjesë e organit vendimmarrës për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë funksionon si bord i Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe i vendos ‘vulën’ e akreditimit apo mosakreditimit të programeve apo institucioneve të arsimit të lartë, përfshirë universitetet publike dhe ato private.

Sipas Kolegjit AAB dhe profesorit Xhavit Rexhaj, reklama në fjalë është realizuar para se ky i fundit të bëhet pjesë e KSHC-së.

Vjollca Krasniqi, Zëvendëskryetare e Këshllit Shtetëror të Cilësisë tha për KALLXO.com se çështja e kësaj reklame do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të këtij Këshilli.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë -KSHC i kushton vëmendje të veçantë konflktit të interesit sipas Kodit të Etikës së KSHC-së dhe ligjit kosovar për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. KSHC në takimin e radhës, më 17 Korrik 2018, do të diskuton rastin e reklamës se kolegjit ‘AAB'”, tha Krasniqi.

Aktualisht, reklama në fjalë nuk mund të gjindet në faqen zyrtare të internetit dhe atë të ‘Facebook-ut’ të Kolegjit AAB.

Kjo, sipas këtij kolegji, ndodhi sepse, reklama në fjalë është e vjetër dhe e xhiruar në vitin 2017, para se Rexhaj të merrte pozitë në KSHC.

Sekretari i këtij Kolegji, Granit Curri, për KALLXO.com tha se reklamat e këtij institucioni përditësohen vazhdimisht.

“Reklama të cilës i janë referuar disa portale, është e vitit 2017 në kohën kur profesor Rexhaj nuk ka qenë anëtar i Agjencisë dhe disa portale tjera e kanë trajtuar gabimisht këtë temë…Ju njoftojmë se ne për çdo vit rifreskojmë reklamat tona ngase AAB është institucion me numër të madh të profesorëve dhe në ndërkohë, pas xhirimit të reklamave, dikush nga ta mund të zgjidhet në ndonjë funksion publik si ministër, anëtar i agjencisë, mund të aderojë në ndonjë parti politike apo edhe mund të ndërrojë jetë dhe kjo nuk nënkupton ndryshim e historikut të institucionit, dhe për këtë fakt, ne mundohemi të jemi maksimalisht të kujdesshëm që reklamat të përditësohen në vazhdimësi”, tha Curri.

Vetë profesori Xhavit Rexhaj konsideroi se transmetimi i spotit reklamues ku flet ai ka qenë një lëshim i institucionit ku punon.

Ai tha se mirëpret diskutimet për këtë çështje duke përjashtuar mundësinë e çfarëdo konflikti të interesit meqë reklama sipas tij u xhirua një vit para nominimit të tij si anëtar i KSHC.

“Kjo ka qenë një vit përpara se të nominohem për punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Konfliktin e interesit e kemi të rregulluar brenda Agjencisë. Nuk e kam informatën që do të diskutohet por nëse diskutohet, unë mendoj që është krejt në rregull me u pa se çka ka. Unë nuk kam thënë ‘hajde ta qesim këtë reklamë’, ka qenë një reklamë që është lëshuar gabim. Ka qenë lëshim, ajo reklamë është lëshuar një herë pjesa ime gabim dhe jo me kërkesë timen gjithsesi”, tha Rexhaj për KALLXO.com

Emrat e nëntë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë u ratifikuan në Kuvendin e Kosovës më 17 prill të këtij viti.

Anëtarët e saj janë: Prof. Dr. Gazmend Luboteni, Prof. Ass. Dr. Vjollca Krasniqi, Prof. Ass. Dr. Arta Jakupi, Dr.Sc. Spec. Rozafa Koliqi-Lila Prof. Dr. Magdalena Ziolo,  Prof. Dr. Herbert K. Amato, Prof. Dr. Xhavit Rexha, Prof. Msc. Jeffery Butel dhe Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi në shtator të vitit që shkoi shkarkoi anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ky shkarkim ndikoi që Agjencia e Kosovës për Akreditim të përjashtohet nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

https://kallxo.com/agjencia-kosovare-e-akreditimit-perjashtohet-nga-nje-organizate-nderkombetare/