Dhoma e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit të OKB-së përmes një njoftimi në uebfaqen zyrtare ka njoftuar se nesër do të mbahet sesioni i këtij këshilli për Kosovën.

Sesioni vjen pas reagimeve të shumta që muajin e kaluar kishte shkaktuar kërkesa e ambasadores së SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, për largimin e misionit të OKB-së (UNMKIK) nga Kosova.

Kryesuese e radhës e këshillit të Sigurimit për muajin nëntor është Kina.

https://kallxo.com/para-doreheqjes-ambasadorja-amerikane-ne-okb-kerkoi-largimin-e-unmik-ut-nga-kosova/

Menjëherë pas publikimit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se kjo gjë do ta linte vendin e tij pa zgjidhje tjetër pos të reagonte për t’i “mbrojtur” qytetarët serbë në Kosovë.

https://kallxo.com/vuciq-reagon-ashper-ndaj-kerkeses-se-amerikes-per-largim-te-unmik-ut/

Kurse, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq kishte thënë se UNMIK-u largohet nga Kosova vetëm me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

https://kallxo.com/daciq-unmik-u-largohet-nga-kosova-vetem-me-mbeshtetjen-e-rusise-dhe-kines/

Por, kërkesa e ish-ambasadores së Amerikës në OKB, Nikky Haley për largimin e UNMIK-ut nga Kosova ishte cilësuar si një hap pozitiv nga ana e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani kihte thënë për KALLXO.com se Haley e ka përkrahur me të drejtë një kërkesë që Kosova është duke e përsëritur qëmoti.

“Institucionet e Kosovës tashmë kryejnë të gjitha funksionet që UNMIK-u i kishte para shpalljes së pavarësisë. Kërkesa e ambasadores është poashtu në përputhje me mendimin e GJND-së për Kosovën ku është theksuar që regjimi juridik i Rezolutës 1244 ka përfunduar në momentin e përcaktimit të statusit final, pra në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, kishte thënë ajo.

Kurse, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Politikave Evropiane në Kosovë (EPIK) ka thënë  se me largimin e UNMIK-ut,  Kosovës do t’i hapeshin rrugët drejt anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.

“Rishikimi i misionit të UNMIK-ut duhet të udhëhiqet nga dy parime: (1) reflektimi i gjendjes së re ekzistuese, respektivisht pavarësinë e Kosovës; dhe (2) përcaktimin strategjik të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe anëtarësim në OKB.  Duhet jemi të vetëdijshëm që përfundimi i misionit UNMIK-ut do të jetë i ndërlidhur më procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Konsideroj se përfundimi i misionit të UNMIK-ut do të hap rrugë për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe marrjen e detyrave dhe obligimeve në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai për KALLXO.com.