Nga seanca e mëparshme e gjinekologjut në Odën e Mjekëve
Këshilli Etik në Odën e Mjekëve shqyrton rastin e gjinekologut Payasli
Gjinekologu Ahmet Payasli është përballur sot me Këshillin Etik të Odës së Mjekëve.
Ky gjyq ka filluar me kërkesë të Inspektoriatit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë
Përballë këshillit etik të përbërë nga Fejsal Mehmeti, Afrim Muhaxhiri, Fakete Hoxha dhe Gylxhan Hasani, doktori turk Ahmet Payasli kundështoi pothuajse çdo të gjetur të Inspektoriatit Shëndetësor .
Përfaqësuesja e Inspektoriatit Shëndetësor Nora Krasniqi tha se në Klinikën e doktor Ahmet Payasli janë kryer disa inspektime prej nga janë evidentuar disa shkelje.
“ISH me datën 24.07.2017 ka konstatuar shkeljen e parë për shkak të mos përdorimit të dokumentacionit shëndetësor dhe shkeljen e dytë që raportet specialistike nuk u janë lëshuar pacienteve të vulosura dhe të nënshkruara nga mjeku specialist.” thotë inspektorati.
Inspektoriati thotë se Payasli ka pasur një vendim të lëshuar me të cilin i lejohet angazhimi i përkohshëm në Kosovë si profesionist shëndetësor por jo më shumë se një vit.
Sipas tyre Payasli ka bërë kërkesë për licensim por vendim nga bordi nuk ka pasur sepse është pritur të bëhet një analizë profesionale nga konziuliumi i mjekëve gjinekolog në QKUK për rastin e një paciente e cila e fajësonte doktor Payaslin se nuk e ka paraparë peshën e madhe të fëmijës prandaj edhe ka pasur pasoja gjatë lindjes.
Ndërkohë Inspektoriati i ka ndaluar ushtrimin e profesionit deri në një vendim tjetër por kohë më vonë për ankesën e pacientës mjekët në QKUK kanë konkluduar se nuk ka qenë në pyetje mosprofesionalizmi i mjekut dhe se një gjë e tillë mund t’i ndodhë çdokujt.
“ISH në vazhdimësi e ka përcjellë veprimtarinë dhe ka konstatuar se dr.Ahmet Payasli nuk e ka respektuar ndalesën e ISH dhe ofronte shërbime shëndetësore pa vendim të bordit për licensim” tha përfaqësuesja e Inspektoriatit.
Nga ana tjetër doktori turk Ahmet Payasli thotë se ai asnjëherë nuk ka pasur asnjë ankesë nga pacientet e tij dhe se të gjitha akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë. Ai kujton se kur mori dënim për mungesë të dokumentacionit shkoj në Ministri për të pyetur se si ta sigurojë atë.
“Inspektorja më tha se kam mungesë në dokumentacion e shkroi një denim prej dy mijë eurove e pyeta ku të nxjer dokumentacion më tha në MSH shkova aty dhe ata më thanë aktualisht nuk kemi dhe thanë shko meri në një kompani atje më thanë se atë dokumentacion e kanë shtyp herën e fundit në vitin 2010” tha Payasli.
Në këtë seancë u diskutua edhe për rastin e doktoreshës Hana Qavdarbasha e cila thuhet se nuk e ka bërë deklarimin e saktë të orëve në vendin e punës, ajo ka punuar me doktorin Payasli dhe në dy vende të tjera të punës. Inspektoriati thotë se ajo ishte deklaruar se punon te doktor Payasli por që ishte gjetur duke punuar dikund tjetër në atë kohë, avokati i doktoreshës thotë se për këtë Inspektoriati nuk ka prova .
Payasli në fillim të seancës kundërshtoi prezencën e gazetarëve pasi që tha se tashmë janë bërë një vit prej kur ka filluar “gjykimi” i tij përmes mediave.
Seanca e shqyrtimit etiko profesional nuk përfundoi sot por u tha se do të ketë vazhdim të saj.