Këshilla për Veshkat në Qendër të Prishtinës

Për nder të kësaj dite në tendat e vendosura në Bulevardin “Nënë Tereza” qytetarëve iu mundësua matja e tensionit arterial dhe analiza e glikemisë. Atyre iu dhanë fletushka me udhëzime se si duhet te kujdesen për veshkat.

Këto aktivitete u organizuan nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Shyqeri Ymyti qytetar i Prishtinës tha se aktivitetet e tilla duhet të bëhen më shpesh.

“Ky aktivitet është jashtëzakonisht i mirë, madje sa më shpesh me organizu për shkak se njerëzit hezitojnë me shku në organizata shëndetësore,” tha ai.

Edhe Fetih Aliut një tjetër qytetari i pëlqeu mundësia e analizave të gjakut në qendër të qytetit.

“Mendoj se është shumë mirë me shiku gjakun dhe me kontrollu nëse jemi mirë ose jo, është mundësi e mirë, sepse rregullisht nuk mund ta kontrollojmë, mirëpo do të duhej që ky aktivitet të organizohet së paku çdo 6 muaj,” tha ai

Të pranishëm ishin edhe nxënës të shkollës “Naim Frashëri” të cilët kishin përgatitur vizatime të ndryshme të cilat tregonin se sa të rëndësishme janë veshkat për trupin e njeriut.

Ermira Cubolli, nxënëse e klasës së nëntë tha se si pjesë e informimit më shumë për këtë organ kanë zhvilluar një pyetësor, kanë biseduar me doktorët si dhe kanë përgatitur një ekspozitë për veshkët.

“Shumë të rinj nuk janë të informuar për këtë ditë, mirëpo ne kemi në planprogram të shkollës që të mësojmë më tepër për veshkën dhe të kujdesemi për të,” tha ajo.

Organizatorët e aktiviteteve për Ditën e Veshkës kishin përgatitur kuiz me anë të të cilit përgjigjeshin në pyetje dhe mësonin më shumë për veshkat.