Marsh për Zbardhjen e Vrasjes së Ilmi Lufajt

Në Deçan është mbajtur marsh paqësor, i organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Në të është kërkuar drejtësi dhe zbardhja e vrasjes së Ilmi Lufajt.

Marshi nga veteranët u mbajt me moton “Duam Drejtësi”. Në të u kërkua që të zbardhet rasti i vrasjes së Ilmi Lufajt nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shefqet Kamberaj në mëngjesin e 18 prillit në qendër të Deçanit.

Marshit të zhvilluar në qendër të qytetit i janë bashkuar edhe shumë qytetarë.
Në emër të organizatorëve foli Bashkim Ramosaj, i cili tha se nga ky marsh kërkojnë vetëm drejtësi në zbardhjen e rastit të vrasjes së ish-kolegut të tyre.
“Heshtja në ketë marsh, pjesëmarrja në këtë marsh, tregon që ne jemi të dinjitetshëm, ashtu siç ishte edhe jeta e Lufit. Kërkojmë nga organet kompetente që drejtësia të vihet në vend. Me këtë rast ju kisha ftuar që të shpërndahemi të qetë dhe duke uruar që kurrë më mos të takohemi për ngjarje të tilla”, tha Ramosaj në fund të marshit.
Ilmi Lufaj ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veteran i luftës.

Ai është vrarë nga oficeri policor Shefqet Kamberaj në orët e para të 18 prillit afër stacionit policor në Deçan.