Kërkohet Super Ekspertizë në Gjykimin për Ekskursionin

Të martën është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Sali Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke qenë anëtarë për përzgjedhjen e ofertave për ekskursionin e maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” në Prizren.

Të akuzuarit Sali Ademaj, drejtor i gjimnazit “Remzi Ademaj” dhe Hamdi Zymeraj nga këshilli i prindërve të kësaj shkolle,  akuzohen se kanë zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë.

Duke mos u pajtuar me ekspertizen financiare të Prokurorisë së Shtetit në bazë të së cilës edhe është ngritur aktakuza, mbrojtja e të akuzuarve të martën prezantoi ekspertizë të re për këtë rast.

Qemajl Smaili, eksperti financiar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve, duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara në gjykatë tha se nuk është bërë dëm ndaj kompanive tjera që kanë dhënë ofertat e tyre për ekskursionet.

“A  kanë pas humbje apo jo?…dëm nuk ka. Sipas analizave të mia dëm nuk ka”, tha Smaili.

Derisa prokurorja e rastit mori në pyetje ekspertin financiar, pati shpesh ndërhyrje nga avokatët mbrojtës.  Kjo e bëri trupin gjykues që të urdhërojë pauzën prej 15 minutave për shkak të reagimeve të mbrojtjes.

Kryetari i trupit gjykues konstatoi në procesverbal se pauza bëhet për shkak të avokatit Osman Hoxha, për të cilin tha se e pengoi rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor duke e paralajmëruar se nëse vazhdon me ndërhyrje të tilla, do t’i shqiptohet gjoba.

Në fund të deklarimit të ekspertit financiar, prokurorja Ervehe Gashi, pati vërejtje duke konstatuar se kjo ekspertizë nuk përputhet me ekspertizën e prokurorisë dhe kërkoi që për këtë rast të bëhet superekspertizë.

“Kam vërejtje sidomos në pikën katër të kësaj ekspertize, vërtetimi i fakteve në rastin lëndor, e pikërisht në nënpikën e parë se nga ana e ekspertit është vërtetu se nuk ka pasur kontratë… ashtu siç e lexova më herët, për cilindo opsion, e sidomos kur është fjala për ekskursion, ndërsa në prezantimin e sotëm eksperti thekson se nuk e ka pasur fjalën për kontratat e ekskursionit, por për kontratat e tjera të transportit”, tha Gashi.

Trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurores së shtetit që në këtë lëndë të bëhet superekspertizë.

Shqyrtimi gjyqësor u ndërpre për kohë të pacaktuar, derisa të sigurohet superekspertiza nga tre ekspertë financiarë.

KALLXO.com ka shkruar edhe për gjykime dhe raste tjera të keqpërdorimit rreth ekskursioneve.

http://kallxo.com/hidhet-aktakuza-ne-gjyqin-per-ekskursionin-e-maturanteve/

http://kallxo.com/hoteli-bonita-zene-anulohet-ekskursioni/

http://kallxo.com/ekskursioni-shtrenjte-maturanteve-te-pejes/