FOTO ARKIV - Ilustrim

Kërkohet Rrugë Dalëse për Problemet në Arsim

Në një diskutim të organizuar nga Forumi 2015 në lidhje me çështjet që e frenojnë zhvillimin në Kosovë, Besa Shahini foli për gjendjen e rëndë në arsimin kosovar.

“Nëse sistemi i arsimit nuk i aftëson nxënësit për ta kuptuar tekstin e shkruar, kemi problem në përgatitjet e fëmijëve. Është një krizë e thellë e arsimit parauniversitar. Edhe nxënësit e varfër dhe ata të pasur të gjithë kanë dalë keq në testin PISA”, tha Shahini.

Rezultatet e Testit PISA të publikuar vitin e kaluar treguan se një pjesë e madhe e nxënësve të testuar nuk e kuptojnë atë që e lexojnë.

Shahini dha arsyet edhe pse gjendja e nxënësve është e tillë.

“Sistemi po i dështon të gjithë. 10 vitet e fundit është trefishuar numri i studentëve, ndërsa janë marrë një numër i mësimdhënësve pa përvojë. Kemi inflacion diplomash por jo cilësi”, tha Shahini.

Ajo më tutje foli edhe për planprogramet dhe testet shkollore.

“Planprogramet nuk janë të mira dhe tekstet shkollore janë të dobëta”, tha Shahini, duke shtuar se “pa tekste shkollore dhe planprograme të detajume nuk mund të implementohet një kurrikulë e re”.

Si problem tjetër në këtë fushë ajo tha se është edhe mungesa ose buxheti i vogël për arsim, duke përmendur që Kosova për kokë banori shpenzon nën mesataren e OECD-së.

Tutje Shahini përmendi edhe një raport të Bankës Botërore, ku bëhet dallimi mes shkollimit (zhdukjes së analfabetizmit) edhe arsimimit (arsimim për shkollë e punë).

Shahini tha se vendi nuk mund të krijojë më strategji dhe ligje që mbesin në letër, por duhet të merret me çështje më bazike.

Shembull mori arsimin fillor.

“Lexim, matematikë, shkencë, gjuhë të dytë. E kur jemi te leximi, na duhen më shumë biblioteka..”, tha ajo.

Shahini tha se buxheti duhet të rritet dhe se për këtë fushë duhet të niset një diskutim mbarëkombëtar.

Në këtë forum po diskutohet për arsimin, si një ndër tri shtyllat kryesore të shoqërisë.

Shahini është zgjedhur zëvendësministre e Arsimit në Qeverinë e Edi Ramës.