Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, 28.05.2019, Foto: KALLXO.com

Kërkohet punësim i kadetëve që kanë kryer akademinë policore në Turqi

Në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikqyrjen e FSK-së është shqyrtuar propozimi i anëtarëve të këtij komisioni, Rexhep Selimit dhe Fatmir Xhelili për disa kadetë të policisë që kanë kryer akademinë në Turqi por që nuk janë të punësuar në instuticione të Kosovës.

Kërkesa e dy deputetëve ishte që këtyre kadetëve të ju gjendet një vend punë në ndonjë institucion të sigurisë.

Anëtari i këtij komisioni nga VV,  Rexhep Selimi tha se së bashku me Fatmir Xhelilin kanë takuar këta kadetë dhe tha se është duke ju bërë e padrejtë atyre.

“Është e palakueshme pozita e tyre nga institucionet e Kosovës, sepse institucionet tona i kanë dërguar atje në akademinë turke për të studiuar. Tash pas 6 vitesh që janë kthyer atyre nuk i’u është gjetur asnjë vend pune, andaj kërkoj nga ju që ti shkruajmë letër institucioneve të sigurisë për punësim të mundshëm të tyre”, tha Selimi.

Ndërsa anëtari nga PDK, Fatmir Xhelili tha se shteti ka obligim moral ndaj tyre.

“Shteti jonë ka një obligim moral dhe juridik ndaj atyre studentëve që kanë kry akademinë për siguri. E para sepse Ministria e Punëve të Brendshme i ka zgjedhur ata dhe kanë marrë bursa për në Turqi. Ata po ashtu kanë pasur kontratë me ministrinë dhe është jo njerëzore mos me u trajtu këta njerëz”, tha Xhelili.

Pas tij Selimi theksoi se ka qenë edhe gabim i institucioneve të Kosovës që nuk i kanë dërguar policët që janë të punësuar, por i kanë dërguar këta pa u rekrutuar.

“Këta janë paguar me paga e mëditje dhe kanë qenë të dërguar nga MPB. Kanë shpenzuar biletat , akomodimin njësoj sikur kadetët e policisë së Kosovës dhe janë 8 persona prej tyre që janë të pa punë”, tha Selimi, ku kërkoi punësimin e tyre pa shkelje të ligjeve në fuqi.

Me këtë nuk u pajtua anëtari tjetër nga VV, Xhelal Sveçla ku kërkoi që të angazhohen ekspertë ligjor nga Kuvendi dhe MPB për punësimin e tyre.

E me këtë u pajtua edhe deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili.

“Zyra ligjore e MBP dhe e Kuvendit tonë me shiku dhe njëherë atë dokuemntacion që kanë nënshkruar kontratë me MPB dhe pastaj të hapim konkurs për rekrutimin e tyre”, tha Xhelili.

Pas tij u pajtua edhe Rexhep Selimi, i cili kërkoi që të ju zgjidhjet çështja e kadetëve sa më shpejtë, pasi sipas tij vendi ka nevojë për ta.

Në fund u morrë vendimi që deputetët të flasin me dy zyrat ligjore dhe pastaj të vendoset për kadetët që kanë kryer akademinë policore në Turqi.

Në këtë mbledhje të komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikqyrjen e FSK-së po ashtu u vendos që të rishpallet konkursi për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi me përbërje të panelit të njëjtë.

 

.