Kërkohet Përjashtimi i Prokurorisë në Rastin e Vrasjes në Prani të Policisë

Halil Bala, përfaqësuesi i palës së dëmtuar në rastin e vrasjes së Qamil Avdylagës kërkoi që këtë çështje ta marrë Prokuroria Speciale.

Bala tha se hetimet nuk janë kryer si duhet, prandaj e kërkoi përjashtimin e prokurorit dhe prokurorisë nga ky gjykim.

“Kam kërkuar përjashtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren për vazhdimin e mëtejmë të kësaj procedure në këtë çështje penale, nga fakti se familja e të dëmtuarve e kanë ngrit këtë shqetësim nga arsyeja se gjatë zhvillimeve të hetimeve në vendin e ngjarjes ku kanë qenë kryeprokurori, prokurori, policia, kanë shkuar me mjete të rënda, me ekskavator, gjoja për t’i gjetur provat e kryerjes së krimit,” tha Bala.

Në këtë proces gjyqësor për vrasjen e Avdylagës po akuzohet Skender Berisha, ndërsa 14 persona tjerë-anëtarë të familjeve Avdylaga e Berisha ngarkohen për vrasje në tentativë, lëndim të rëndë e të lehtë trupor dhe pjesëmarrje në rrahje.

Seanca e sotme nuk u mbajt për shkak të kërkesës së avokatit Bala për përjashtim të prokurorit dhe prokurorisë.

Këtë kërkesë të Balës, Skender Morina, avokati i Skender Berishës e konsideroi zvarritje të gjykimit.

“Mbrojtësi i të dëmtuarit vetëm po dëshiron me prolongua rastin, pasi kanë pasur rast prej 4 tetorit me kërkuar përjashtimin e prokurorit, e jo më lënë sot me dorëzuar kërkesën në prokurori,” tha avokati Skender Morina.

Anëtarët e familjeve Berisha e Avdylaga filluan një përleshje masive mes tyre më 29 qershor të vitit të kaluar, edhe pse policia ishte e pranishme ende pa nisur konfrontimi fizik. Nga kjo përleshje ku u përdorën edhe armët vdiq Qamil Avdylaga, ndërsa u plagos njëri nga policët që shkoi për ta penguar rrahjen.

Skender dhe Shpend Berisha ndodhen në paraburgim që nga 30 qershori i vitit të kaluar.