Ilustrim

Kërkohet paraburgim për të dyshuarit për mashtrim me bileta të falsifikuara

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar nga Gjykata caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve R.I. dhe A.D., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale – mashtrim dhe falsifikimi i dokumenteve.

“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur që me sukses të identifikojnë dhe të arrestojnë dy të dyshuarit e lartcekur, në një rast të mashtrimit të qytetarëve, përmes shitjes së biletave të falsifikuara, si brenda territorit të Republikës së Kosovës, ashtu edhe jashtë saj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se duke filluar nga data 23.07.2018, e deri në momentin e arrestimit, më 26.04.2019, të dyshuarit e lartcekur, pas marrëveshjes paraprake në mes tyre për kryerjen e mashtrimit, i dyshuari R.I., si pronar i agjencive “Sky Travel”, “Euro Travel”, “Euro Reisen”, me seli në Pejë dhe e dyshuara A.D., si punonjëse në këtë agjenci, i kanë mashtruar qytetarët përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete, në data të ndryshme dhe në qytete të ndryshme, duke filluar nga Prishtina, Peja, Gjilani dhe Gjakova, u kanë shitur aviobileta fiktive për fluturime jashtë Kosovës, ndërsa këto fluturime nuk janë realizuar fare, e për të cilat të dëmtuarit kanë paguar shuma të ndryshme të të hollave, ndërsa paratë e marra nuk janë kthyer te ata asnjëherë, kështu duke u shkaktuar dëme materiale në vlera të ndryshme.

“Me këtë të dyshuarit R.I., dhe A.D., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – mashtrim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.​

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se nga data 18.08.2018 dhe në vazhdimësi deri në datën e arrestimit të dyshuarit e lartcekur me vetëdije të plotë kanë përpiluar aviobileta të falsifikuara në emër të agjencisë turistike “Reisburo Prishtina”, me seli në Prishtinë dhe u kanë shitur këto bileta të dëmtuarve në vlerë prej 600.00 euro, në relacionin Prishtinë-Shtutgart, për datën 19.08.2018, ndërsa kur të dëmtuarit kanë tentuar të realizojnë fluturimin është vërtetuar se këto bileta i kanë blerë nga kompania “Sky Travel”, ashtu që të dyshuarit kanë vepruar njëjtë edhe më 14.12.2018.

“Me këtë të dyshuarit kanë kryer veprën penale – falsifikimi i dokumenteve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kërkesa për paraburgim është bërë më 27 prill 2019.