Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Paraburgim Ndaj të Dyshuarve për Incidentin në Pejë

Pasi dy net më parë në lokalin “San Bar” të Vitomiricës së Pejës ndodhi një rrahje ku u përdorën armët dhe u plagos personi me inicialet I. B. kanë nisur hetimet ndaj gjashtë personave për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje, asgjësim apo dëmtim të pasurisë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Prokuroria në Pejë nën dyshimin se K. A. kreu veprat penale vrasje në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll, e posedim të paautorizuar te armëve kërkoi paraburgim për të.

Paraburgimin prokuroria e kërkoi N. A. që bashkë me K. A. dyshohen se së bashku kanë kryer asgjësim ose dëmtim pasurie dhe për Sh. B, R. B. F. T. Dhe N. A. që dyshohen për pjesëmarrje në rrahje.

Prokuroria kërkesën për paraburgim ndaj të dyshuarve e arsyetoi me mundësinë e ndikimit në dëshmitarë dhe kryerjen e veprës së mbetur në tentativë.

“Në bazë të provave të cilat i ka siguruar prokuroria ekziston dyshimi i bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat po dyshohen dhe se ekziston rreziku së të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarë si dhe të përfundojnë veprën e ngelur në tentativë” , tha prokurorja.

andaj konsideroj që janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit , prandaj i propozoj gjykatës që ndaj të pandehurve të caktohet paraburgimi ”, tha prokurorja.

Muharrem Hoti, avokati i K. A., të dyshuarit për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje mohoi se i mbrojturi i tij kreu këto vepra.

“Propozimi i prokurorisë është i pabazuar dhe se prokuroria nuk ka ofruar dëshmi bindëse se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën po dyshohet dhe po ashtu nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin se i mbrojturi im mund të përsërisë apo ta përfundojë veprën e ngelur në tentativë”, tha Hoti.

Ai i propozoi gjykatës “që ta refuzojë kërkesën e prokurores dhe të caktojë ndonjë masë tjetër alternative e cila do të ishte adekuate “.

Sabrie Abazi, avokatja e Sh. B. tha se i mbrojturi i saj nuk është përfshirë në rrahje, por ka tentuar ta ndalojë atë.

“I mbrojturi im fare nuk ka marrë pjesë në rrahje dhe as që ka pasur ndonjë rrahje siç po pretendon prokuroria, ai vetëm është përpjekur që ta ndalë të akuzuarin që të gjuajë në të dëmtuarin, andaj në tërësi e kundërshtojmë propozimin e prokurores sepse nuk ka bazë së i mbrojturi im ka kryer veprën penale për te cilën po dyshohet”, tha Abazi.

Kërkesën për paraburgim e kundërshtoi edhe Osman Lajçi, avokati i N. A. duke konsideruar se nuk ka prova që i mbrojturi i tij u përfshi në rrahje.

“Kundërshtojmë kërkesën e paraburgimit ndaj të mbrojturit tim sepse prokuroria nuk ka ofruar prova se ai ka marrë pjesë në rrahje, sepse po të ishte I përfshirë në të do të kishte ndonjë shenjë në trup, dhe se ai është vetëm një punëtor shanku që punon për një rroge dhe nuk ka raporte të acaruara me ndonjë person dhe se nuk ka bazë të arsyeshme për paraburgimin e tij”, tha Lajçi.

Gjykata brenda afatit ligjor do të vendosë lidhur me kërkesën e paraburgimit.