Ilustrim: Mbyllja e një lokali nga ATK - Foto: KALLXO.com

Gjilan:Burgosen bastexhinjët

Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj tre personave që janë arrestuar dje në Gjilan nën dyshimin se kanë rihapur bastoret sportive edhe pse të njëjtat ishin mbylur nga ATK-ja.

“Prokuroria Themelore në Gjilan gjatë ditës së djeshme ka ndaluar të dyshuarit A.D., F.B. dhe I.G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Më tej në komunikatë thuhet se, më 2 mars 2019, i dyshuari A.D., punëtor në bastoren ‘Euro Loto’, në Gjilan, duke zbatuar urdhërin e kundërligjshëm të menaxherit të tij, ka hequr dhe dëmtuar shiritët – shenjat zyrtare, të cilat ishin vendosur më 1 mars 2019, nga Adminitrata Tatimore e Kosovës, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë pa licencë, në atë mënyrë që pasi heq dryrin dhe dëmton shiritët zyrtar, hyn në lokal dhe zhvillon veprimtarinë e lojërave të fatit, pa përfillur ndalesën nga ATK-ja.

“Ndërsa, të dyshuarit F.B. dhe I.G., njëri më 1 mars 2019, ndërsa tjetri me 2 mars 2019, në bastoren ‘Eco Bet’’, në Gjilan, veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke zbatuar urdhërin e kundërligjshëm të menaxherit të tyre”, vijon njoftimi.

Sipas prokurorisë, të përfshirë në këtë rast janë edhe dy të dyshuar tjerë, të cilët gjenden në arrati.

https://kallxo.com/arrestohen-tre-persona-pasi-rihapen-bastoret-e-mbyllura-nga-atk-ja/