Kërkohet Mbrojtje për Kallxuesit e Korrupsionit

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalia Apostolova, ka kërkuar mbrojtje më efikase për kallxuesit e korrupsionit nëpër institucione dhe organizata që financohen nga paraja publike.

Në një diskutim në kuadër të aktiviteteve për Javën Kundër Korrupsionit, Apostolova ka se legjislacioni në Kosovë ka mangësi në çështje që kanë të bëjnë me personat që lajmërojnë korrupsionin, ndërsa e vlerësoi të rëndësishme mbrojtjen e tyre.

“Është me rëndësi të theksohet se pa mbrojte të duhur të kallxuesve nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Apostolova.

“Miratimi i ligjit do ta bëjë të qartë se çfarë është e çfarë nuk është konflikti i interesi”, shtoi ajo.

Zyrtarja më e lartë e BE-së në Kosovë kërkoi edhe nga mediat që të punojnë në ndryshimin e imazhit për kallxuesit.

“Mbrojtja e atyre që raportojnë është në të mirën e shoqërisë si tërësi… Duhet ta zhvendosim vëmendjen nga kallxuesit te keqbërësit”, tha ajo duke shtuar se mbrojtja e kallxuesve i shërben interesit publik dhe rritjes së besimit te këto të fundit.

“Mbrojtja e kallxuesve mund të sjellë besim te institucione publike”, tha shefja e Zyrës së BE-së.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e pranoi se ligji aktual nuk i mbron në mënyrë të mjaftueshme kallxuesit.

I pyetur nga KALLXO.com se kur pritet të jetë ligji në kuvend, Ministri Tahiri, u përgjigj se në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojë në Kuvend puna për ndryshimin e ligjit.

Ai tha se me ligjin e ri do të themelohet mekanizmit për informimin dhe për mbrojtjen e tyre.

Tahiri shtoi se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë prioritete të qeverisë.

“Me vëmendje i kam ndjekur ndryshimet legjislative që po bëjmë e që kanë emërues të përbashkët zero tolerancë kundër korrupsionit”, tha ministri i Drejtësisë.

Ndërsa, Shaip Havolli, Drejtor i Agjencisë Anti-korrupsion, theksoi rëndësinë e informacioneve të kallxuesve për institucionin të cilin ai e drejton.

“50% e këtyre informatave kanë ardhur në saje të informatorëve”, tha Havolli.

Havolli tha se “informatorët” japin shumë informacione mirëpo janë të pambrojtur me legjislacionin aktual.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se duhet të bëhen ndryshimet ligjore për mbrojtje të këtyre personave.

“E shoh si kyç Parlamentin e Kosovës. Mos ta harrojmë faktin se këto ligje shpeshherë janë në konflikt me njëra-tjetrën”, tha Jashari.

“Në bazë të Ligjit për Shërbyesit Civil, çdokush që zbulon informacion zyrtar, mund të përballet me masa disiplinore”, tha Jashari.

Avokati i Popullit u shpreh se duhet të ketë edhe hetim të sektorit privat, duke u shprehur se shpesh korrupsioni në institucione publike ka qenë i lidhur me ato private.

“Ky sektor është pothuajse i pambikëqyrur”, tha Avokati i Popullit.

Në fund të vitit të kaluar, Murat Mehmeti, një hetues në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) tregoi për emisionin Jeta në Kosovë për një skandal milionësh të evazionit tatimor brenda kësaj organizate. (Hulumtimi 1, Hulumtimi 2, Hulumtimi 3)

 

Për këtë veprim, ai vitin e kaluar ai u nderua me çmimin për guxim qytetar.

http://kallxo.com/kallxuesi-murat-mehmeti-nderohet-me-cmimin-per-guxim-qytetar/