Diskutimet për Projektligjin për Automjete | Foto: KALLXO.com

Kërkohet Largimi i Monopolit të Homologimit të Veturave

Në Komisionin për Zhvillimin Ekonomik gjatë dëgjimit publik për Projektligjin e Automjeteve u kërkua që të largohet monopoli për homologimin e veturave.

Homologimi është një proces të cilit i nënshtrohen të gjitha makinat që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, ndërsa me të një makinë konsiderohet se u përshtatet rrugëve dhe ligjeve të vendit.

Për homologim ish-Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit nënshkroi kontratë me kompaninë “Eurolab” e cila vlen deri në vitin 2019.

Fatmir Rexhepi nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik tha se duhet bërë sa më parë largimin e monopolit nga homologimi, pasi një gjë e tillë nuk është sipas standardeve evropiane dhe ligjeve të tregut.

Musli Bajraktari, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike kërkoi që Projektligji i Komunikacionit të përfshijë edhe lejimin e përdorimit të makinave më të vjetra se 20 vjet.

“Nëse ne themi se veturat që lejohet të regjistrohen në Kosovë të jenë më të reja se 20 vite dhe të gjitha të tjerat të largohen nga tregu, ne jemi duke bërë grusht-shtet, sepse e dimë që niveli i varfërisë që është në Kosovë  nuk lejon që qytetarët të kenë mundësi të kenë vetura të reja”, tha Bajraktari.

Por Fatmir Rexhepi që kryesoi dëgjimin publik tha se makinat e vjetra po ndotin ambientin.

“Neve na intereson për automjetet që janë në Kosovë dhe çfarë pajisje kanë në përditshmëri, si të vendosin çështjen e kontrollimeve teknike dhe çka duhet të shihet në kuadër të kësaj. Po ashtu, edhe importi dhe vjetërsia e automjeteve, sepse e dimë që kemi standarde të ndryshuara duke përfshirë këtu edhe standardi i jetesës ka ndryshuar dhe automjetet e vjetra po e dëmtojnë ambientin”, tha Rexhepi.

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik në dhjetor 2016 u diskutua për forcimin e kontrolleve teknike të automjeteve.

http://kallxo.com/projektligji-qe-synon-shtrengimin-e-kontrolleve-teknike/

Kohëve të fundit niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë ka qenë shumë i lartë, ndërsa për të mes tjerash janë fajësuar edhe veturat e vjetra.

http://kallxo.com/ne-2016-en-53-dite-tejkalime-te-ndotjes/

Zgjim Nitaj, përfaqësues i Shoqatës së Automjeteve në Kosovë paraqiti edhe problemin e mashtrimit me kilometrat e kaluara të veturave, duke kërkuar përgjegjësi penale.

“Vetura në gjendjen teknike limitohet jo vetëm nga vjetërsia në vjet, po edhe nga kilometrat, sepse ajo e determinon amortizimin e veturës dhe kjo është duke u keqpërdorë jashtëzakonisht shumë, sepse është ai [klienti i fundit]që po dëmtohet më së shumti”, tha Nitaj.