Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Korrigjimi i Padisë për Ndarjen e Pasurisë

Në gjykimin ku A. G. ka paditur ish-burrin e saj L. Rr. në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët, gjyqtari Faton Bajrami kërkoi që paditësja ta korrigjojë kërkesë-padinë e saj.

Në seancë nuk morën pjesë as i padituri, e as përfaqësuesi i tij ligjor.

Kërkesën për precizim të kërkesë-padisë gjyqtari Faton Bajrami e bazoi në paqartësinë se a kërkohet me të njohja e pronësisë në gjysmën e paluajtshmërisë, apo kompensimi material prej 37 mijë e 900 eurove në emër të kontributeve të paditëses.

Paditësja dhe përfaqësuesi i saj ligjor kanë afat tri ditë për t’u përcaktuar nëse kërkojnë pronësi në gjysmën e banesës ku jetoi ish-çifti, apo kompensim material për kontributin e ish-bashkëshortes.

Ky proces gjyqësor ka filluar në vitin 2016, ndërsa paditësja pretendon se ka kontribuuar në krijimin dhe shtimin e pasurisë përmes punës së saj në KOSTT përgjatë 10 vjetëve. Paditësja pretendon se i takon gjysma e një banese e cila ndodhet në Prishtinë si dhe pasuria tjetër e luajtshme e përshkruar në padi.

Në kërkesë-padi thuhet se kontributi i saj është dhënë përmes përgatitjes së ushqimit për fëmijë dhe për familje, higjienë dhe punë tjera të mirëmbajtjes së familjes së përbashkët.

Pretendimet e paditëses kundërshtohen nga ish-bashkëshorti, tani i padituri, i cili pretendon se fare nuk është pronar i banesës së kërkuar nga ish-gruaja e tij, porse kjo pasuri i takon familjes së tij, nënës, motrave dhe vëllait të tij.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 13 korrik.

Në seancën e kaluar të këtij gjykimi u paraqit fjala përfundimtare, ndërsa i padituri L. Rr. nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor ofroi 1 mijë e 750 euro për marrëveshje me ish-bashkëshorten.

http://kallxo.com/ish-bashkeshorti-ofron-1-mije-e-750-euro-per-marreveshje/

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste tjera të padive për ndarje të pasurisë.

http://kallxo.com/te-vleresohet-shtepia-ku-jetoi-shyhrete-berisha/

 

http://kallxo.com/gjykata-verteton-pronesine-e-shukrije-berishes/

http://kallxo.com/zyrafete-huskaj-fiton-ne-gjyq-gjysmen-e-shtepise/