Takimi për reformën zgjedhore | Foto: KALLXO.com

Kërkohet Konsensus për Reformën Zgjedhore

Presidenti Thaçi, thirrësi i takimeve për reformë zgjedhore, tha sot se grupet punuese për ndryshim të ligjeve dhe ato për ndryshim të kushtetutës, ndryshime që lidhen me reformën e synuar duhet të formohen deri më 5, përkatësisht 10 dhjetor.

Thaçi propozoi edhe hartimin e një kodi etik për dekriminalizimin e subjekteve politike që sipas tij do të pamundësonte kandidimin e atyre që kanë aktakuza qëftë për deputetë, qoftë për kryetarë komunash.

Përfaqësues të PDK-së e LDK-së dy partive më të mëdha që janë edhe në koalicionin qeveritar, në takimin për reformën zgjedhore me Presidentin Thaçi, thanë se kjo reformë duhet të bëhet me konsensus.

Enver Hoxhaj që foli në emër të PDK-së kërkoi më shumë kohë për reformën zgjedhore.

“E keni mbështetjen e plotë të PDK-së për reformë zgjedhore. E rëndësishme, përfundimi sa më i shpejtë i saj. Si subjekt politik kem nevojë për më shumë kohë. Parimet e reformës të jenë me konsensus,” tha Hoxhaj.

Konsensusin e përmendi edhe Lutfi Haziri që në takim përfaqësoi LDK-në.

“Të martën e kemi inicu debatin brenda partisë, kem diskutu iniciativën tuaj. Nevojë e domosdoshme në krijimin e konsensusit në pjesëmarrje të opozitës, ndihmon shumë në reformë,” tha Haziri.

Haziri deklaroi gjithashtu se LDK-ja pret që me reformë zgjedhore “të jetë procesi i thjeshtë, i garantuar për përfaqësim sa më të mirë,”

Ndërsa thirrësi i këtij takimi Hashim Thaçi tha se pjesët e reformës që kërkojnë ndryshime kushtetuese do të shkojnë më ngadalëë, ndërsa ato për të cilat duhen vetëm ndryshime ligjore do të ecin më shpejt.

Opozita nuk është duke marrë pjesë në takimet për reformën zgjedhore të ftuar nga Thaçi, ngase është për zgjedhje të parakohshme.

Takimi i parë për reformë zgjedhore i ftuar nga Thaçi u zhvillua më 4 nëntor.

Aty Thaçi përmendi edhe mundësinë që partitë të pajtohen për numrë më të vogël deputetësh.

http://kallxo.com/thaci-permend-zvogelimin-e-numrit-te-deputeteve/

Para zgjedhjeve lokale të vitit 2013 subjektet politike diskutuan gjerësisht për reformën zgjedhore dhe mënyrën se si duhej të zgjidhej Presidenti. Në këtë reformë duhej të përfshiheshin edhe ndryshimet kushtetuese për t’iu përshtatur asaj, por bisedimet e atëhershme nuk dhanë rezultat.

Atëherë ishin formuar dy komisione-ai për reformë zgjedhore dhe për ndryshime kushtetuese, puna e të cilave u diskutua edhe në Kuvend

Raporti për Reformën Zgjedhore në Kuvend