Arkiv - Gjykimi i Kolë Pukës | Foto: KALLXO.com

Kërkohet Konfiskimi i Shtëpisë dhe Parave në Gjykimin e Kolë Pukës

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Ali Rexha tha se do të propozojë konfiskimin e një shtëpie me katër ari truall në Lagjen “Kalabria” dhe gjithashtu edhe të 18 mijë eurove të ndjerit Hilmi Hana.

Rexha, këto deklarime i bëri në gjykimin ku ish-gjykatësi, Kolë Puka po akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Lidhur me të ndjerin Hilmi Hana që ka qenë i involvuar në këtë çështje penale kemi gjetur se në emër të tij është e evidentuar një shtëpi në Lagjen “Kalabria” me 4 ari truall dhe gjithashtu një person që deklaron se i ka pasur borxh 18 mijë euro është i gatshëm t’ia dorëzojë shtetit”, tha Rexha.

Ky propozim u kundërshtua nga Tahir Rrecaj, avokati i të akuzuarit, Kolë Puka.

“E kundërshtoj këtë propozim sepse nuk ka asnë lidhje kauzale  mes aseteve të përmendura dhe z. Kolë Puka”, tha Rrecaj.

Seanca e radhës u caktua për 31 mars.

Ish-gjykatësi Puka, akuzohet se më 4 qershor 2008 ka nxjerrë një vendim mbi kompensimin e pretendimeve në rastin e familjes  së Rrustem dhe Qazim Gashit. Në të njëjtin rast sipas prokurorisë Puka ka nxjerrë një marrëveshje shtesë gjyqësore më datë 4 qerrshor 2008 ku miratonte një pagesë të dyfishtë të pajustifikuar.

Sipas aktakuzës, Lon Palushaj ka përfaqësuar rastin “Familja Gashi”, ndërsa të njëjtën me një numër tjetër të lëndës e ka bërë edhe Zef Marleku. Sipas aktakuzës, asnjëri nuk ka pasur autorizimet përkatëse për këtë përfaqësim nga familjet e palëve të lënduara(dëmtuara).

Gjithnjë sipas aktakuzës, Kolë Puka ka nxjerrë vendime të paligjshme sepse ka vendosur mbi kërkesat për kompensim, pavarësisht nga fakti se kishte pasur dijeni që Zef Marleku dhe Lon Palushaj nuk ishin në përputhje me palët e përfaqësuara.

Aktakuza e prokurorit Rexha përshkruan se ish-gjykatësi Puka kishte miratuar si kompensim 56 mijë euro për Lon Palushajn, ndërsa në rastin tjetër i kishte miratuar shumën prej 61 mijë eurove Zef Marlekajt, ndërsa Hilmi Hana i kishte transferuar këto fonde në llogaritë bankare të avokatëve Zef Markelu dhe Lon Palushaj.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Kolë Pukën se mes datës 18 nëntor 2002 deri më 18 dhjetor 2007, duke shfrytëzuar pozitën e tij si gjykatës ka përdorur vulën zyrtare të Gjykatës Komunale të Klinës duke vulosur 19 autorizime për përfaqësim ligjor, përkundër faktit se personat në fjalë nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre për përfaqësim ligjor.

Ky gjykim po zhvillohet rishtazi pasi që Gjykata e Apelit kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

Dhjetë Vjet Burg për Ish-Gjykatësin Kolë Puka

http://kallxo.com/ish-gjyqtari-puka-shqyrtohen-ankesat-pas-dy-vite-e-gjysme/

http://kallxo.com/neser-seance-degjimore-ndaj-kole-pukes/