Gjykimi për të shtënat në "Kodër të Diellit" | Foto: KALLXO.com

Kërkohet Hedhja e Aktakuzës për të Shtënat në ‘Kodër të Diellit’

Amin Sejdini e Safet Hasani akuzohen për të shtënat që kishin ndodhur në vitin 2006 te parkingu në Qendrën Tregtare në “Kodër të Diellit”.

Mbrojtësit e të akuzuarve- avokatët Mexhid Syla e Ramiz Krasniqi, paraqitën në gjykatë propozimin për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës ndaj të mbrojturve të tyre.

“Nuk është përshkruar koha, vendi, objekti me të cilin është kryer vepra penale si dhe rrethanat tjera të nevojshme për të përcaktuar me saktësi rrethanat. Po ashtu aktakuza nuk mbështet dyshimin e mirë të bazuar se në ditën kritike, në vendin ku pretendohet në dispozitiv ka qenë prezent i mbrojturi im”, tha Syla.

Ndërsa avokati Krasniqi, kërkoi që propozimi i tij për hedhjen e aktakuzës të aprovohet, me qëllim që prokuroria të bindej se jo çdo aktakuzë mund të kalojë në gjykatë.

“Nënshkruesi i kësaj aktakuze ka vendosur të ngre këtë aktakuzë dhe atë direkte, pa prova, pa iu dhënë mundësia të akuzuarve që ta japin mbrojtjen e tyre. Aktakuza direkte mund të ngriten vetëm për veprat penale për të cilat parashihet dënimi vetëm deri në 3 vjet”, shtoi Krasniqi.

E prokurorja e çështjes, Besa Limani, kontestoi pretendimet e mbrojtjes duke thënë se ka prova të mjaftueshme të cilat mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Si rezultat, prokurorja Limani i propozoi gjykatës që të vazhdohet me procedimin e këtij rasti.

Sejdini e Hasani që po akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, në seancën fillestare u deklaruan të pafajshëm.

Sejdini e Hasani akuzoheshin edhe për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, por kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, bëri të ditur se për këtë pikë ndjekja penale është vjetërsuar.

Sipas aktakuzës, të shtënat kishin ndodhur më 2 prill të vitit 2006 rreth orës 15:00 afër rrugës që çon te hyrja e parkingut në Qendrën Tregtare në “Kodrën e Diellit”.

Në aktakuzë thuhet se Sejdini e Hasani kanë përdorur armët për kërcënim dhe frikësim.

Sipas aktakuzës, Sejdini ka qëlluar drejt një makine të tipit “Golf 3”, ndërsa Hasani drejt veturës “Jeep Cheeroko”, ndërsa këto vetura më pas ishin larguar njëra drejt rrugës nga konviktet, e tjetra në drejtim të QKUK-së.

Në vendin e ngjarjes ishin gjetur 7 gëzhoja.

http://kallxo.com/deklarim-pafajesie-per-te-shtenat-ne-koder-te-diellit/

Amin Sejdini është dënuar edhe në një proces tjetër gjyqësor për vjedhjen e orëve të markës “Rolex” në Mbretërinë e Bahrejnit me 12 vjet burg dhe 12 mijë e 500 euro gjobë.

Më pas Gjykata e Apelit atij ia zvogëloi dënimin në 8 vjet burg dhe 8 mijë euro gjobë.

http://kallxo.com/zvogelim-denimesh-per-vjedhjen-e-oreve-rolex/