Kërkohet ekspertizë financiare në gjykimin e ish-Drejtorit të NLB-së

Në gjykimin ndaj ish-drejtorit të bankës NLB, Ismajl Rudari, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, prokurori kërkoi të bëhet një ekspertizë financiare.

Në seancën e sotme ishte e paraparë të jepet fjala përfundimtare, mirëpo prokurori i shtetit Ardian Gashi, pati një propozimin të ri për Gjykatën, që të bëhet një ekspertizë financiare e pavarur, ku sipas tij vetë banka NLB është e dëmtuar në këtë rast dhe palë në procedurë.

“Në  bazë të shkresave të lëndës,  sa i përket dëmit të shkaktuar, ekziston si provë kartela e NLB bankës e çka është në dije edhe Gjykata , meqenëse vet NLB është e dëmtuar dhe është palë në procedurë nëse Gjykata e sheh te arsyeshme mund te sigurohet një ekspertizë financiare e pavarur” tha prokurori Gashi.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar Erina Gashi deklaroi se mbetet pranë propozimit të Prokurorisë.

Kurse mbrojtja e kundërshtoi një propozim të tillë, me arsyetim se edhe nëse bëhet një ekspertizë e tillë ai shtoi se duhet të merren parasysh provat materiale që janë administruar gjatë gjithë këtij procesi gjyqësor, e jo të bëhet vetëm mbi bazën e kartelave të paraqitura edhe më herët në Gjykata.

“Nëse do të bëhet një ekspertizë  e tillë do duhet të merren parasysh provat materiale, që janë administruat gjatë procesit, e jo te bëhet vetëm mbi bazën e kartelave te paraqitura  edhe më herët ne Gjykatë.  Dhe kërkesa – lartësia e dëmit të supozuar nuk është reale, kurse kartelat nuk  do të vërtetojnë asgjë, përveç se banka tenton te bëjë pasurim pa bazë.  Nëse vendoset nga ana e Gjykatës, kërkojmë që  eksperti të pajiset me të gjitha pjesët e lëndës”. tha avokati Naser Sopjani

Më pas trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorisë dhe palës së dëmtuar, që të bëhet ekspertiza financiare, lidhur me këtë çështje penale.

Seanca u shty në kohë të pa caktuar dhe pas marrjes se ekspertizës Gjykata te njëjtën do t’ia ofrojë palëve.

Avokati kishte rast vdekje, dështon seanca ndaj ish-drejtorit të NLB-së Ismajl Rudari

 

 

Ismajl Rudari po akuzohet me pretendimin se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës së Bankës NLB- dega në Lipjan, gjatë periudhës kohore 2003-2005, i ka shkaktuar bankës në fjalë dëm në vlerë prej 305.420,71 euro.

Në aktakuzë theksohet se e gjithë kjo është bërë me qëllim të përvetësimit të pasurisë.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Rudari kishte lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private.

Aktakuza thotë se disa nga këto kompani private ishin NTPSh “Beargo”, në shumën prej 159,193 euro, NB “Limani” në vlerë prej 15,692 euro, NTP “Irsija-Cos” në shumë prej 8,169 euro, NT “Xheneti” në vlerë prej 91,013 euro, NTP “Elektro Vali” 6,604 euro dhe NTP “Altini Comerc” në shumën prej 30,747 euro.