Pamje nga konferenca ndërkombëtare e organizuar nga KEK - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Diversifikim i Burimeve Energjetike

Investimet në kapacitetet e reja duhet të shikohen si masa të domosdoshme për sigurinë energjetike të vendit dhe zvogëlimin e dyoksidit të karbonit, ka thënë Berat Rukiqi, drejtor i Bordit të KEK-ut në një konferencë ndërkombëtare ku është debatuar për mundësitë e sigurimit të një qëndrueshmërie energjetike të Kosovës.

Rukiqi porositi që të angazhohen të gjithë akterët për diversifikimin e burimeve energjetike si masë adekuate për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Paralael me këtë, të gjithë akterët në sistemin energjetik të vendit duhet të angazhohen për diversifikim më të madh të burimeve energjetike, programet e eficiencës së energjisë dhe masa adekuate e të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, tha drejtori i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ndërsa, Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, i cili u paraqit përmes video-lidhjes nga Koreja e Jugut, tha se 2016 do të jetë viti i vendimeve në sektorin energjetik.

“Viti 2016 ashtu siç e kemi paralajmëruar edhe më herët do të jetë pikërisht viti i vendimeve më të mëdha dhe më strategjike për sektorin e energjisë në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’i bëjmë zgjidhje më të mira dhe më të duhura edhe për ekonominë e vendit tonë”, tha ministri Stavileci.

Ai përmendi që në takimin e përbashkët ndërmjet qeverisë kosovare dhe asaj shqiptare, e cila mbahet më 3 qershor në Prishtinë, do të nënshkruhen disa marrëveshje në sektorin e energjisë.

Drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, tha se kjo korporatë është në rrugë të mirë në zhvillimin e energjisë dhe se është duke operuar me stabilitet.

I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi, i cili tha se bashkëpunimi më i mirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është në sektorin e energjisë dhe se po punohet në përafrimin e ligjeve që kanë të bëjnë me këtë sektor.

Kjo konferencë do të vazhdojë punimet me dy punëtori. Në punëtorinë e parë do të trajtohet tema “Shthurja e mëtutjeshme e KEK-ut”, ndërsa në punëtorinë e dytë do të debatohet tema “E ardhmja e ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ në kontekstin e zhvillimeve me Termocentralin e Ri dhe zhvillimeve në tregun energjetik vendor dhe rajonal”.

Nga të dhënat e energjisë të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për periudhën janar-prill 2016 sasia e energjisë elektrike në dispozicion të konsumatorëve ishte 1,018 GWh, apo sasia e energjisë elektrike të konsumuar është ulur për 1.8 për qind në këtë periudhë.

http://kallxo.com/bie-konsumi-energjise

Tema të debatit të konferencës ndërkombëtare “Qëndrueshmëria e Industrisë se Prodhimit të Energjisë në Kosovë – Sfidat dhe Mundësitë”, e organizuar nga KEK-u janë edhe hartimi i një plani për zhvillim të qëndrueshëm, rritja e matshme e performancës, angazhimet dikrekte për përgjegjësinë korporative, ripërtëritja e personelit, shqyrtimi i detajuar i alternativave të blloqeve, përgatitja e korporatës për përmbushjen e obligimeve nga Traktati i Energjisë dhe përgatitja e KEK-ut në liberalizimin e energjisë, etj.