Kërkohet Dënimi i Drejtoreshës së ‘Edhe ne Jemi Kosovë’

Prokurori I Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari, kërkoi që e akuzuara për shpërdorim të detyrës zyrtare, Zelnije Kashtanjeva, të dënohet konform  ligjit.

Prokurori këtë e arsyetoi me pretendimin se e akuzuara në cilësinë e drejtoreshës së OJQ-së “Edhe ne jemi Kosovë” ka keqpërdorur mjete në shumën rreth 4,000 mijë euro, të cilat ishin mbledhur në emër të shërimit të P.K.

Prokurori në fjalën e tij përfundimtare tha se gjatë tre muajve, janar, shkurt e mars 2009 janë mbledhur nga organizata rreth 20 mijë euro, por kjo shumë nuk iu dorëzua Muhamet Kukës, të babait të fëmijës në nevojë.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar krejt fakt tjetër se Muhamet Kukës i janë dorëzuar vetëm 8,700 euro dhe atë brenda dy muajve pas inicimit të rastit kundër të akuzuarës”, tha prokurori.

Prokurori për këtë kërkoi dënimin e të akuzuarës sipas ligjit.

“E akuzuara Zelnije Kashtanjeva ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 paragrafi 3 lidhur me par 1 të KPK-së prandaj presim nga trupi gjykues që të akuzuarën ta shpallë fajtore dhe t’i shqiptojë një sanksion penal të paraparë me ligj”, tha prokurori Jashari.

Përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, veteran i luftës së UÇK-së, tha se e përkrah ndjekjen penale dhe paraqet kërkesë pasurore juridike për dëmin.

E akuzuara në këtë rast kundërshtoi akuzën duke thënë se nuk janë llogaritur shpenzimet e aktivistëve të organizatës, siç janë ato të shpenzimeve të tre kombistëve, tre koordinatorëve dhe në disa vendbanime serbe nuk janë paguar me euro por me dinarë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër.