Pamje nga seanca e gjykimit të Vllaznim Hoxhës për narkotik dhe armëmbajtje pa leje - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Dëgjimi i Dëshmitarëve dhe Ekspertit në Gjyqin për Drogë

I akuzuar për narkotik dhe armëmbajtje pa leje, Vllaznim Hoxha u deklarua i pafajshëm pas leximit të aktakuzës në Gjykatën e Prizrenit.

Në fjalën hyrëse, prokurori tha se aktakuzën ndaj të pandehurit e mbështet në prova, të cilat i konsideron si të pranueshme për Gjykatën, ngase janë marrë ekspertiza laboratorike nga bunkeri i veturës së të akuzuarit të cilat kanë rezultuar se janë të llojit marihuanë.

Prokurori tha se nga përgjimet telefonike kuptohet se i pandehuri ka biseduar me personin e quajtur Etem nga Mitrovica, të cilit i ka ofruar për shitje marihuanën të cilën e kishte pasur të fshehur në shtëpi.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Qelaj, në fjalën hyrëse deklaroi se janë raste të rralla kur në aktakuzë nuk ka asnjë dëshmitar.

Në këtë rast, sipas avokatit Qelaj, të gjitha provat e bashkangjitura janë prova materiale, nga përshkrimi i të cilave sipas tij përshkrimi faktik si në dispozitiv të aktakuzës nuk qëndron.

Avokati Qelaj propozoi dëgjimin e dy dëshmitarëve, Kumrije Hoxhaj, bashkëshortja e të akuzuarit, e cila tha se është bashkëmarrëse e kredisë në bankë e të hollave të cilat janë konfiskuar dhe Shqipe Pireci, motra e të akuzurit, e cila sipas avokatit do të dëshmojë se pjesën tjetër të të hollave të konfiskuara ia ka dërguar në formë të dhuratës.

Avokati po ashtu propozoi që të dëgjohet edhe eksperti Behlul Hashani, zyrtar i Njësisë për trajtimin e mjeteve të improvizuara në Policinë e Kosovës.

Në vazhdim të gjykimit u bë leximi i të gjitha shkresave të lëndës, pas të cilave trupi gjykues mori aktvendim me të cilin i aprovoi propozimet e mbrojtjes që të dëgjohen dy dëshmitaret dhe eksperti.

Seanca gjyqësore u ndërpre ndërsa ajo e radhës u caktua për më 20 nëntor.

Vllaznim Hoxha akuzohet nga prokuroria se në automjetin e tij të tipit “Jaguar” kishte sjellë nga Shqipëria në Kosovë substanca narkotike.

Më 31 gusht 2016 këtë substancë ia kishte ofruar për shitje personit me emrin E.

Gjatë bastisjes së shtëpisë, Policia e konfiskon një sasi të përgjithshme prej 672.69 gramë.

Sipas veprimeve të lartcekura, prokruroria e ngarkon të akuzuarin me kryerje të veprës penale për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Po ashtu, të akuzuarit Vllaznim Hoxha më 1 shtator 2016, në shtëpinë e tij gjatë një kontrolli nga ana e policisë i është gjetur një revole e tipit TT me nëntë fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm, dhe 800 kapsolla ndezëse për eksploziv.

Me këtë prokuroria e ngarkon për kryerje të veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

http://kallxo.com/prokuroria-nuk-hyn-ne-marreveshje-per-pranim-fajesie/