Kërkohet autonomi më e madhe për universitetet publike

Me rastin e 49 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, është mbajtur konferenca e rektorëve të të gjitha universiteteve publike shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Në këtë konferencë përveç fjalimeve solemne për 49 vjetorin e UP-së, është folur edhe për problemet e shumta të universiteteve, sidomos për autonominë dhe pavarësinë e arsimit të lartë publik.

Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema, i cili ishte edhe nikoqir i kësaj konference, tha se themelimi i UP-së ishte një moment shumë historik për shqiptarët.

“Ishte një moment shumë historik themelimi i këtij universiteti, marrja e barrës që ta ndryshojë atë mentalitet, atë kulturë në një kohë shumë të vështirë, por ky universitet në mënyrën më të mirë e dha provimin duke u gjetur duke u ballafaquar me shumë probleme të natyrave të ndryshme, qoftë politike, qoftë problemet që e kanë përcellë gjatë tranzicionit të vendit, që nuk kanë qenë të vogla”, ka thënë Dema.

Sipas tij nëse dëshirohet të rritet niveli i cilësis së universiteteve dhe arsimit të lartë, duhet të ketë autonomi më të madhe.

“Ne kërkojmë ta kemi mbështetjen, që ta ngrisim cilësinë e mësimdhënies, nivelin e hulumtimeve shkencore e shumë fushave të tjera, e këto arrihen nëse kemi autonomi më të madhe. Por edhe njëkohësisht të marrim obligime, që këtë detyrë do ta kryejmë në mënyrën më të mirë, gjithmonë duke umbështetur në vlerat themelore të arsimit të lartë”, ka deklaruar.

Ndërsa Bajram Kosumi, rektor i Universitetit të Gjilanit, tha se të gjitha universitetet publike shqiptare janë në një krizë, që po zgjat tash e një periudhë të gjatë.

“Universitetet publike shqiptare dhe arsimi i lartë publik janë në një krizë, tash e një periudhë të gjatë. Kjo krizë është rrjedhojë e shumë faktorëve, të cilët ne duhet ti trajtojmë seriozisht, për të mirën e publikut. Si pasojë e ndryshimeve të thella politike në këtë periudhë, këto 20 vjet të fundit, autonomia e universiteteve është në rrënim e sipër. Vazhdon ende të rrënohet. Autonomia e universiteteve është e dëmtuar seriozisht, qoftë nga ndërhyrjet e politikes, biznesit, autonomia vazhdon ende të jetë e plagosur rëndë. Në anën tjetër qeveritë tona në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni ndajnë shumë pak buxhet për universitetet dhe arsimin e lartë publik”, ka thënë ndër të tjera Kosumi.

Në këtë konferencë morrën pjesë përfaqësues të të gjitha universiteteve publike shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Universiteti i Prishtinës është themeluar më 13 shkurt 1970, ndërsa dy ditë më vonë është mbajtur mbledhja solemne e Kuvendit dhe data 15 është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës. Tani UP-ja ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara.