Kërkohen Investime në Sport për Ngritje të Imazhit

Medaljes së artë në garën e Parisit të sjellë nga xhudistja Majlinda Kelmendi i është gëzuar edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, edhe pse askush nga Qeverisa e Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit dhe as Komiteti Olimpik i Kosovës nuk dolën ta presin sportisten kur u kthye në Kosovë.

“Ne u gëzohemi sukseseve të Majlindës, sukseseve të të gjithë atyre që po dekorohen me medaljet botërore. Prandaj ky është një sukses i juaj, sepse ju po punoni drejtpërdrejt në këto fusha dhe këto janë suksese të jashtëzakonshme për ne,” tha Kryeministri Mustafa, në takimin që pati me federatat e sporteve të Kosovës.

Edhe pse takimi ishte lajmëruar si i hapur, pas fjalimeve të krerëve shtetërorë dhe përfaqësuesve të Komitetit Olimpik, ai u mbyll për media, ndërsa gazetarët nuk mundën të dëgjonin kërkesat dhe ankesat e federatave të sporteve drejtuar qeverisë.

Mustafa tha se janë dhënë mbi 2 milionë e gjysmë euro subvencione për sport, ndërsa 8 milionë të tjera janë shpenzuar për investime në këtë fushë.

“Kemi planifikuar që vitin vijues të investohen 6 milionë të tjera. Këto miliona nuk janë ato që u dalin mjaft sporteve në Kosovë, por do të bëjmë përpjekje që të gjejmë edhe mënyra të partneritetit publik-privat edhe mënyra tjera, përmes të cilave do ta shtojmë vlerën e këtyre mjeteve,” tha ai.

Kryeministri tha se Kosova ka nevojë edhe për një stadium kombëtar dhe një pallat olimpik, për të cilët premtoi se do të gjenden mjete.

Për Kryetarin e Komitetit Olimpik, Besim Hasani, të gjitha këto investime  janë të pakta në krahasim me potencialin që ka Kosova në sferën e sportit.

“Mbi 50 për qind të shteteve asnjë medalje nuk e kanë të fituar në lojërat olimpike, ndërsa 40 për qind e federatave botërore as medalje botërore nuk kanë. Kosova tashmë është e dëshmuar dhe këto medalje përkthehen në rritjen e imazhit për Kosovën,”tha Hasani.

Ai tha se 90 për qind të medaljeve që i janë sjellë Kosovës nga garat ndërkombëtare, vijnë nga sportistet femra.

Sipas Hasanit, Komiteti Olimpik i Kosovës pret që në garat ndërkombëtare Kosova të shkojë shumë e përgatitur dhe për t’u bërë kjo duhet shtim buxheti.

“Ne presim që në vitet në vijim nga buxheti i Kosovës për sport të jetë i dyfishuar, i trefishuar. Ndoshta këto janë utopi, por këto vërtet janë reale në raport me nevojat që i ka sporti i Kosovës, por edhe meritat që i ka në ngritje të imazhit,” tha Hasani.

Ndërsa Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Shala tha se Qeveria e Kosovës do të punojë shumë në vitet në vazhdim për përkrahjen e sportit në Kosovë.

Shala njoftoi përfaqësuesit e federatave se 7 palestra sportive janë në proces të  punimeve dhe pritet që këtë vit të përfundojnë.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi tha se kënaqësia më e madhe është anëtarësimi i 15 federatave të sportit kosovar në federatat botërore.

“Ne tash jemi edhe para një rrethane të re, para një vendimi të ri që mund të merret edhe për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe në FIFA dhe jemi në një bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Futbollit … Është një mbështetje e gjerë, dhe do të hapet një perspektivë mjaft e madhe sa i përket futbollit,” tha Thaçi.

Ai e quajti vitin 2016 si një vit historik, pasi që Kosova do të paraqitet për herë të parë në lojërat olimpike, duke shpresuar edhe në sjelljen e ndonjë medaljeje nga  Rio de Janeiro, ndërsa shtoi se zhvillimet negative politike në Kosovës mund të jenë imazh i keq edhe për sportin kosovar.