Ilustrim - Dhurata për fëmijë për festat e fundvitit - Foto: Facebook

Kërkesat për dhurata për fëmijë në fundvit janë të mëdha

Kërkesat për dhuratat e dedikuara për fëmijë në fundvit janë të mëdha.

Të paktën ato që janë përgatitur nga personat me sindromën down kanë gjetur treg të mjaftueshëm. Zyrtarë të “Qendrës Down Sindrom Kosova” thonë se projekti ka për qëllim aftësimin e personave për tregun e punës.

Ardi di të bëjë disa lloje të kafes. Kurse Linda, më shpesh i shërben ato. Të dy punojnë në kafiterin X21 në qendër në Prishtinë. Ardi dhe Linda së bashku me miqtë e tyre për fund vit, kanë përgatitur edhe dhurata për vitin e ri, të cilat më pas edhe i kanë shitur. Ardi tregon se çfarë ka brenda një dhurate.

“Dhurata është për vitin e ri është prej baba-dimrit për shokët e mi, kështu ne i shitëm ato te sheshi. Çfarë keni futur brenda? Çokollatë, keksë, keks të rrumbullakët me çokollatë”

Lidhur me fushatën e pakove për Vitin e Ri, flet Alban Fejza i cili në të njëjtën kohë përkujdeset edhe për marketingun e Down Sindrom Kosova.

“Si risi në DSK kësaj radhe kemi bërë shërbim të ri, që nënkupton shitjen e gjithë gamës së produkteve tona në pako dhuratë për vitin e ri. Përveç sensibilizimit në masë, me ofrimin e shërbimit të ri, pra pakove dhuratë ne kemi tentu të jemi më afër konsumatorëve.

Koordinatorja e projekteve Ermira Shabani thotë se përveç në kampanjën me dhuratat, personat me down sindrom janë të angazhuar, edhe në disa punëtori të tjera.

“Qëllimi i këtyre punëtorive është aftësimi i personave me sindromë down për tregun e punës dhe njëkohësisht nëpërmjet këtyre produkteve në po synojmë me arrit një qëndrueshmëri financiare për shërbimet të cilat i ofrojmë. Në kuadër të këtyre punëtorive ne kemi punëtorinë e kartolinave ku bëhet kartolina punën dore. Pastaj e kemi punëtorinë e Xhemit x21 dhe atë të mjaltit Amë.

Të gjitha këto projekte janë krijuar në kërkim të mundësive të reja për personat me sindromë Down. Ndonëse ata kanë nevojë për hapësira më të mëdha apo edhe për objekt adekuat, produktet e tyre janë të përfshira në dhuratat për vitin e ri. Pako e vogël kushton 10 euro, e mesme 13.00 dhe pako e madhe 15 euro. Dhuratat mund të blihen online dhe po ashtu në hapësirat e shoqatës Down Sindrom Kosova.