Kërkesa nga Studentët për Dekanët e Rinj

Shkëlqim Beqiri student në Fakultetin e Filologjisë ka thënë për  KALLXO.com se pret nga dekanja e zgjedhur në këtë fakultet Lindita Rugova të rregullojë problemet me salla, orare dhe të mos pengohet koha e ligjëratave.

“Problemi që unë kam si student është mungesa e sallave dhe moskoordinimi i mirë i orareve mes ligjëratave, pres që kjo të përmirësohet. Në kohë të dimrit punimet që bëhen në fakultet të mos jenë në orar të mësimit e ligjëratave, sepse pengojnë. Për shembull restaurimi i tualetit ka ndodhur gjatë kohës së ligjëratave, ka pasur zhurmë dhe pluhur shumë,” tha Beqiri.

Gjithashtu ai tha se ndjehet mirë që për këtë pozitë është zgjedhur një femër.

“Është mirë që është zgjedhur një femër. Shpresoj që kjo do të punojë më shumë se ata tjerët,” tha ai.

Kur u zgjodh para dy ditësh dekane, Lindita Rugova u zotua se do t’u sigurojë kushte më të mira studentëve.

http://kallxo.com/lindita-rugova-ne-krye-te-filologjikut/

Ndërsa Valmire Shahini, studente në Fakultetin Filozofik kërkoi nga dekani i këtij fakulteti që të ndikojë në përmirësimin e pastërtisë në këtë fakultet.

“Profesor Bujar Dugolli  ka merituar  këtë pozitë sepse ka bërë shumë për Fakultetin filozofik dhe janë meritat e tij është rizgjedhur sërish, presim te bëjë  rregulla në papastërti dhe studentët të mos pinë duhan brenda dhe jashtë fakultetit,” tha Shahini.

Për studentin e Fakultetit të Ekonomisë, Veton Gashi problem të cilin pret që ta zgjedhë  dekani i ri në katër vjetët e ardhshëm është respektimi i orarit mësimor nga profesorët.

“Performanca e profesorëve duhet të rregullohet dhe profesorët duhet të respektojnë orarin e ligjëratave. Orari nuk është problem, por është problem i profesorëve, pra mosmirëmbajtja e orarit,” tha Gashi.

Zgjedhjet për dekan në të gjitha Fakultetet e Universitetit të Prishtinës janë mbajtur nga 1 deri më 3 shkurt.

Këto zgjedhje ishin të parakohshme, ndërsa filluan me zgjedhjet studentore dhe do të mbarojnë me zgjedhjen e rektorit të ri për Universitetin e Prishtinës.