Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Kërkesa e Haradinajt për transfer të studentëve rrezikon akreditimin e Fakultetit të Mjekësisë

Nëse senati i Universitetit të Prishtinës aprovon kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për transfer të disa studentëve nga Universitetit Shtetëror i Tetovës në Universitetin e Prishtinës, akreditimi i Fakultetit të Mjekësisë në UP mund të tërhiqet.

Anëtari i bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) Dukagjin Zeka, gjatë prezantimit të raportit për riantarësimin e Kosovës në EQAR, tha se kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt për transferimin e studentëve nga Tetova në Universitetin e Prishtinës, mund të rrezikojë akreditimin e Fakulteti të Mjekësisë.

“Kërkesa nga ana e kryeministrit do të zbatohet në bazë të udhëzimit administrativ që ka të bëjë për akreditimin e programeve dhe në bazë të këtij udhëzimi thuhet se shtimi i numrit të studentëve në këtë fakultet nuk lejohet, atëherë me këtë mund të tërhiqet akreditimi për këtë fakultet”, tha Zeka.

Më 12 nëntor të këtij viti, senati i Universitetit të Prishtinës pati në rend dite shqyrtimin e kërkesës e kryeministrit të Republikës së Kosovës për transferim të grupit të studentëve nga F.Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, të cilët kanë aplikuar për transfer në F.Mjekësisë në UP” , thuhej në pikën e katërt të rendit të ditës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u doli në krah kërkesës së 91 studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës për tu transferuar në Universitetin e Prishtinës, të cilët më parë ishin refuzuar nga Fakulteti i Mjekësisë për mos plotësim kriteresh.

KALLXO.com kishte gjetur se në mesin e këtyre studentëve është edhe djali i këshilltarit të kryeministrit, Luan Jaha. Atij i është refuzuar kërkesa për transfer nga Fakulteti i Mjekësisë për mosplotësim të kushteve. Mirëpo, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Senati shqyrtimin e kërkesës së studentëve për transfer nga F.Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës në F.Mjekësisë në UP.

Kundër kërkesës së kryeministrit dolën vetë menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë, Zyra e BE-së në Kosovë, Ministri i Arsimit dhe OJQ-të e kësaj fushe.

Në anën tjetër, në ditën e paraparë të shqyrtohet kjo pikë, senati vendosi për shtyrjen e saj ndërsa ende nuk dihet se kur përfundimisht do të vendoset lidhur me këtë kërkesë.

Kujtojmë se një  vendim i Ministrit të Arsimit me urdhër të Kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e bordit të kaluar të Agjencisë për Akreditim, kishte bërë që kjo e fundit të përjashtohet nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

KALLXO.com ka raportuar lidhur me kërkesën e kryeministrit për transferin e studentëve.

 

Haradinaj ‘tollovit’ UP-në për ta regjistruar djalin e këshilltarit në Fakultetin e Mjekësisë