Teatri Kombetar - Foto: Atdhe Mulla.

Kërkesa e Aktorëve Pritet të Realizohet nga Janari i Vitit 2018

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se nëse nuk realizohet kërkesa e tyre për rritje pagash në nivel universitar, nga e premtja nuk do të ketë më shfaqje në këtë institucion.

Por, dy ditë para se të përfundoj[ ky afat, zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë takuar përfaqësuesit e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar, ku sipas këshilltarit të lartë të ministrit Gashi, Samir Hoxha u tha se dialogu është forma më e mirë për një epilog të suksesshëm të këtij rrugëtimi të përbashkët.

Ai tha se gjatë ditës së sotme zyrtarë të Ministrisë së Kulturës do të takohen me ministrin e Financave për të parë mundësitë për një zgjidhje të favorshme për të gjitha palët.

Burime te Televizionit 21 bëjnë të ditur se ministri i Kulturës Kujtim Gashi dhe ai i Financave Bedri Hamza, janë takuar sot pas intervistës së bërë nga televizioni ynë me këshilltarin Samir Hoxha.

Në këtë takim ministrat janë dakorduar që të ketë rritje pagash për krijuesit dhe përformuesit e artit.

Por pritet që të formohen grupet punuese të cilët do të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejt për këtë çështje.

Sipas burimeve të RTV21 pritet që në fillim të viti 2018 aktorëve t’u plotësohet kërkesa e tyre./21Media