Kërcënimi i Labinot Tahirit, Qeveria fut rrugën në buxhet

Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri me mëngjes kërcënoi Qeverinë e Kosovës me votë kundër buxhetit të Republikës së Kosovës, pasi që sipas tij kjo e fundit nuk po e shtron rrugën Babush-Tërn-Luboc-Koshare e Slivovë, mirëpo sipas draft-buxhetit, mjetet për ndërtimin e kësaj rruge janë të planifikuara. Disa mjete të bartura nga 2018 e disa të tjera të vlerësuara për 2020 e 2021.

Ai ka akuzuar ministrin e Infrastrukturës dhe zëvendësin e tij se po çojnë projekte në lokacione prej nga ata vijnë, duke përmendur edhe shtrimin e rrugëve në fshatin e Kryeministrit Haradinaj, në Gllogjan.

Procedurat që ndiqen në raste kur dikush ankohet për aktivitete të prokurimit, nuk po i pëlqejnë deputetit Tahiri.

E në lidhje me këtë ai ka kushtëzuar votën e tij për buxhetin e Kosovës me shtrimin e kësaj rruge.

Megjithatë në projektbuxhetin e vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës nuk ka ndarë asnjë shumë të re, por vetëm ka bartur ato nga viti 2018, e që janë 250 mijë euro për asfaltimin e rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë, për të cilin po flet deputeti Tahiri.

Ndërsa për vitet 2020 dhe 2021, Qeveria ka vlerësuar se mund të shpenzohen edhe gjysmë milioni euro tjera për ndërtimin e kësaj rrugë.

Ndërsa në total, bashkë me paratë e bartura nga 2018 në 2019 dhe planifikimet për 2020-2021 kjo rrugë kap shifrën e 750 mijë euro.

https://kallxo.com/labinot-tahiri-kushtezon-serish-qeverine-video/

.